Raporti i Dick Martyt/ Rama flet sot në KE: Akuzat ndaj UÇK janë të pabaza!

Ditën e sotme në Këshillin e Evropës në Strasburg, do të kërkohet anulimi i raportit të Dick Marty.

Me anë të një postimi në rrjete sociale Kryeministri Edi Rama njofton se do t’i drejtohet Këshillit të Evropës sot rreth orës 15:30 me një fjalim i cili pritet të zgjasë afro një orë ku do të kërkojë rishikimin e Rezolutës 1782 (2011). Rama kërkon të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

“MIRËMËNGJES, dhe rrugës drejt Strasburgut, për t’iu drejtuar Asamblesë së Këshillit të Europës sot në 15:30, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Shqipëria do të raportojë për këtë kërkesë, ndërkohë që një delegacion nga Tirana do të jetë i pranishëm. Vetë Rama e kishte paralajmëruar një kërkesë të tillë në KiE kur Shqipëria miratoi në Kuvend Rezolutën kundër raportit të Dick Marty, pasi akuzat e bëra prej tij janë totalisht të pabaza dhe nuk janë vërtetuar në të gjithë këto vite dhe njollosin një luftë të drejtë të popullit të Kosovës.

Një kërkesë të tillë Rama e kërkoi edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve. Rama i bëri thirrje OKB që të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të paraqitur një raport të ri, që kundërshton me prova dhe me fakte raportin e Dick Marty, që sipas tij ka nxirë qëllimisht UÇK-n, por edhe vetë historinë e Kosovës. Rama tha se ky raport është një trillim dhe fantazi, por e cilësoi si edhe më të rëndë faktin që mbi atë se çfarë politikani zviceran shkruante në 2011, sot mbahen padrejtësisht në burg drejtuesit e UÇK-së.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *