Dita e sotme (12 tetor) pritet të jetë vendimtare për shtetin e Kosovës, në Komisionin Evropian pasi pritet të miratohen raportet e progresit për vendet aspiruese për të hyrë në BE.
Në disa fusha raporti do jetë i ndryshëm për Kosovën, por tek liberalizimi i vizave Komisioni Evropian i mbetet besnik qëndrimit të vitit 2018. KE-ja thotë se regjimi i vizave për kosovarët duhet hequr dhe se kushtet janë përmbushur.
Në aspektin politik, Kosova vlerësohet për përshtatjen me qëndrimet e BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë. Gjithashtu theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.
Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në draft-raport e KE-së, thuhet se ka pasur takime të rregullta në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa përmendet edhe takimi më 18 gusht midis liderëve të të dyja shteteve.
Aty përmendet edhe pajtimi për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve të energjisë dhe për udhëtimin vetëm me letërnjoftime midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, nga të dyja vendet kërkohet angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes tyre.
“Kosova duhet të angazhohet në mënyrë më konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale për implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në të kaluarën, si dhe të kontribuojë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, për normalizimin e raporteve me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe kyçe për t’u mundësuar Kosovës dhe Serbisë avancimin në rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, thuhet në draftin e raportit.