Kevin Mustafa është 20-vjeçari shqiptar i cili ndërroi jetë ditën e shtunë teksa udhëtonte me motorrin e tij në rrugën provinciale të Carvico dhe u përplas me një makinë duke humbur kontrollin dhe dalë nga rruga.
Sipas mediave italiane, për 20-vjeçarin ka qënë fatal momenti i frenimit të menjëhershëm pasi ai nuk ka parë që në autostradë kishte një varg makinash dhe për tu shmangur ka rrëshqitur në anë të rrugë dhe është rrëzuar.
Kevin Mustafa ishte 20 vjeç dhe kishte mbërritur në Terno d’Isola kur ishte ende shumë i vogël, së bashku me babain e tij shqiptar dhe nënën e tij ekuadoriane, Fanny Mourera. Familja kishte shkuar të jetonte në një pallat në via Roma 23H, pranë bibliotekës. Prindërit e Kevinit u ndanë pothuajse menjëherë dhe djali u rrit nga nëna e tij.
“Ai ishte thjesht njëri prej nesh, ishte në klasë me mua në kopshtin e fëmijëve, në shkollën fillore dhe të mesme, askush nuk e ka parë ndonjëherë si emigrant,”- tha dje një shoqja e tij, duke parë me sy të largët pikën e aksidentit.
“Ishte një njeri shumë i qetë, shumë herë ishte vetëm”, shton një tjetër.
Kevin më pas u diplomua për inxhinieri mekanike në Institutin Marconi në Dalmine dhe ka punuar në kompani të ndryshme, deri vonë ka qenë teknik mirëmbajtjeje në Brembo.
“Kur pashë djalin, ai tashmë ishte rrëzuar. Ai ra përpara një makine Lancia Y që ishte përpara meje, duke përfunduar me kokën në njërën nga rrotat. Makina po udhëtonte me shpejtësi të ulët dhe gruaja pas timonit frenoi menjëherë, por goditja ishte shumë e dhunshme. Djali ra shumë keq, iu thye helmeta. Unë zbrita menjëherë për ta ndihmuar atë dhe pesë-gjashtë persona të tjerë gjithashtu. Nuk e prekëm sepse qafa e tij ishte në një pozitë të keqe dhe kishim frikë se mos i përkeqësonin gjërat, por telefonuam 118. Ai po merrte ende frymë edhe pse me shumë gulçim,”-thotë Abdel Khachi, nga Kolonja, i cili po udhëtonte në korsinë e kundërt duke drejtuar një kamion për të bërë dërgesat në Calusco.
Kur helikopteri i 118 dhe një ambulancë mbërritën në vendngjarje pak minuta më vonë, Kejvin Mustafa kishte vdekur. Fjala u përhap shpejt në fshat dhe shumë nga miqtë e tij mbërritën në vendngjarje. Disa prej tyre u grindën me një kurioz që pati guximin të bënte shaka për ngjarjen. Menjëherë pas kësaj mbërriti edhe nëna e viktimës dhe e dashura e tij Federica, nga Romano, të cilat shpërthyen në lot.
Ndërkohë që policia lokale e Terno-s, së bashku me karabinierët, kryen hetimet, u krijuan radhë të gjata në të gjithë zonën, në skajet e vetë rrugës provinciale, por edhe shumë më tej përgjatë shtrirjes që nga Presezzo dhe autostrada të çon në qytet.