Një shkollë në Ferizaj të Kosovës në nisje të vitit shkollor ka publikuar dhe një rregullore sa strikte aq edhe të çuditshme për nxënësit e saj. Bëhet fjalë për shkollën “Jeronim de Rada” e cila ka nxjerrë një rregullore ku ndalon djemtë me flokë të gjata që të jenë pjesë e saj.
Ky është bërë problem serioz për një fëmijë 5-vjeçar i cili për shkak të flokëve të gjatë që ka nuk pranohet në mësim duke rrezikuar humbjen e një viti.
“Ndalohet bartja e vathëve dhe rritja e flokëve te djemtë”, thuhet në rregulloren e firmosur nga drejtoresha Servete Hajrullahu, publikuar nga Kallxo.acom.
Fadil Idrizi, prindi i vogëlushit ka thënë për mediat se drejtoresha ia ka larguar të birin nga shkolla për shkak të flokëve të gjata.
“Kam një hall për djalin tim 5-vjeçar, të cilin drejtoresha ma ka larguar nga shkolla me të drejtën që fëmija nuk mund të vijë në shkollë, si parashkollor, për arsye vetëm pse i ka flokët e gjata”, deklaroi i ati.
Idrizi ka kërkuar arsyetim, por nuk ka marrë përgjigje as nga drejtoresha e shkollës, e as nga Drejtoria e Arsimit apo Inspektorati i Komunës.