Prej disa ditësh në Vlorë kanë zbarkuar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, edhe pse deri tani nuk ka një rezultat konkret për operacionet e vazhdueshme të zhvilluara kohët e fundit.
Sot policia e Vlorës mbajti një deklaratë për shtyp ku gazetarët i drejtuan pyetjen nëse po kërkohet për fatin e Ervis Martinajt në këtë qytet?
Kësaj pyetje policia e Vlorës i dha përgjigje duke thënë se ka një plan të detajuar për kontrollet.
“E vërtetë që FNSH ka qenë prezent ne qytetin e Vlorës. Ka një plan të detajuar nga shërbimet e policisë, e kemi pasur dhe mbështetjen e tyre. Këto kontrolle do vijojnë e në javët në vijim në lidhje me procedimet që kanë ngritur skuadrat e hetimit”, tha zyrtari i Policisë.
I pyetur nga gazetarët nëse policia ka informata që Martinaj ka qenë në Vlorë, zyrtari i Policisë tha se:
“Është një çështje që nuk i përket qarkut të Vlorës. Strukturat e DVP Vlorë mbështesin të gjitha strukturat e drejtorive të tjera policore për çfarëdo lloj verifikimi apo operacioni në terren”.