Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Jorida shprehet se shqiptarët dhe opozita janë mbështetësit më të mëdhenj drejt rrugëtimit për në BE, ku thekson se qeveria duhet t kthejë vëmendjen drejt kësaj të fundit.
Sakaq shton se duhet që çdo ligj dhe çdo reformë të jetë në frymën e procesit të integrimit.
Postimi i plotë:
Progres Raporti i BE tregon vijat e kuqe në lidhje me Integrimin:
Sapo është publikuar raporti i progresit, por njëkohësisht dhe strategjia e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, por në mënyrë të veçantë për Shqipërinë. Sot shqiptarët, por dhe opozita, janë ndër mbështetësit më të mëdhenj të procesit të integrimit dhe unë besoj që ky është një fat shumë i madh, sepse kemi vende të tjera të rajonit, ku të dy këto grupe pengojnë procesin e integrimit. Dhe unë mendoj që duke pasur këto avantazhe, por duke e rikthyer edhe njëherë vullnetin tek reformat, duke rikthyer vullnetin tek lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, duke menduar çdo ligj e çdo reformë, në frymën dhe standardet e Bashkimit Europian, qeveria duhet ta kthejë edhe njëherë, menjëherë vëmendjen tek procesi i integrimit. Duhet ta bëjë procesin e integrimit një prioritet kombëtar. Duhet që çdo ligj dhe çdo reformë të jetë në frymën e procesit të integrimit dhe duhet patjetër t’i lërë kërcënimet boshe, ta lërë retorikën boshe dhe të rikthejë menjëherë në axhendën e parlamentit të gjithë ligjet që kanë lidhje me procesin e integrimit, me reformat dhe ta bëjë këtë proces sa më gjithëpërfshirës.