FMN paralajmëron për rreziqet që mund të vijnë nga bumi i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme në stabilitetin financiar

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në deklaratën e fundit për Shqipërinë, ka këshilluar që të tregohet kujdes për ndikimin që mund të ketë vrulli i ndërtimeve dhe zgjerimi i tregut të pasurive të paluajtshme në stabilitetin e sektorit financiar.

“Ne bëjmë thirrje për monitorim nga afër dhe menaxhim të rreqiqeve të mundshme nga rritja e lartë e kreditimit gjatë viteve të fundit, përfshirë huadhënien e rritur në monedhë të huaj.

Në këtë kuadër, mirëpresim përpjekjet e BSH për të adresuar mungesën e konsiderueshme të të dhënave mbi tregun e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimin, si dhe bëjmë thirrje për mbikëqyrje të shtuar të ndikimit të këtij sektori mbi stabilitetin financiar”, thuhet në deklaratën zyrtare.

FMN u trembet dhe pasojave që mund të ketë një rënie e çmimeve të pasurive të paluajtshme.

“Ekonomia është gjithashtu e ndjeshme ndaj kushteve të pafavorshme të motit dhe ndryshimit të kahut të rritjes në çmimet e pasurive të paluajtshme”, citohet në deklaratë.

Vitet e fundit ndërtimi, sidomos ai rezidencial po merr një rol parësor në ekonomi, teksa sipërfaqet e lejeve janë shtuar ndjeshëm dhe tregu i pasurive të paluajtshme është zgjeruar, sidomos në kryeqytet.

Sipas INSTAT, në vitin 2021, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet ishte 1.6 milionë metra katror, nivel rekord të paktën që nga viti 2010 kur raportohen të dhënat, nga të cilat gati 80% ishin për ndërtime rezidenciale (shiko grafikun: Sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në Tiranë, 2010-2021).

E njëjta tendencë vijoi dhe në gjysmën e parë të këtij viti. Po sipas INSTAT, vetëm në 6-mujorin e parë 2022 u dha në kryeqytet gati 1.2 milionë m2 sipërfaqe leje ndërtimi, ose sa 75% e sipërfaqes së dhënë për gjithë vitin 2022 (shiko grafikun: Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit dhënë në Tiranë, 6 M I).

Tirana mori 70% të gjithë sipërfaqeve të lejeve të dhëna në vend për periudhën përkatëse.

Ndonëse oferta në treg sa vjen e rritet edhe çmimet kanë shënuar të njëjtën prirje, duke reflektuar shtrenjtimin e kostove të ndërtimit dhe qarkullimit të parasë informale.

Sipas Indeksit Fischer të Çmimeve të Banesave, i llogaritur nga Banka e Shqipërisë, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit I 2022 është rritur me 28.4% në krahasim me 6-mujorin e kaluar dhe me 39% në krahasim me një vit më parë.

Kjo është rritja më e lartë 6-mujore e këtij indeksi që prej vitit 2013, kur Banka e Shqipërisë nisi llogaritjen e tij. Në raport me periudhën bazë, indeksi i çmimeve të banesave është rritur me afërsisht 110%.

Në linjë me këto zhvillime kredia e dhënë nga sistemi bankar për ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme ka shënuar zgjerim të dukshëm vitet e fundit.

Kredia për sektorin e ndërtimit këtë vit po shënon nivelet më të larta në të paktën gjashtë vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 7-mujorin 2022, kredia e re për ndërtimin kishte vlerën e 22.7 miliardë lekëve ose 194 milionë eurove.

Kredia e re për sektorin e ndërtimit është rritur me 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera totale e portofolit të kredisë për ndërtimin në fund të muajit korrik arriti në 70.4 miliardë lekë, në rritje vjetore me pothuajse 30% (shiko grafikun: Kredia e re në rritje për ndërtimin)./Monitor


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *