Një 66-vjeçar i identifikuar si Tush Pali, ka rënë në prangat e policisë sot në pikën kufitare të Morinës, me qëllim ekstradimin drejt Çekisë.
Policia njofton se ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale ‘prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike’, si dhe ‘prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve’. Për këto vepra, Gjykata e Plzen në Çeki e ka dënuar këtë shtetas me 1 vit, 5 muaj e 21 ditë burg.
Njoftimi i policisë:
Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi drejt Çekisë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve”.
Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar:
Tush Pali, 66 vjeç, banues në Kosovë.
Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Praga, pasi Gjykata e Plzen Çeki e ka dënuar me 1 vit, 5 muaj e 21 ditë burg, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve”, parashikuar nga legjislacioni penal i Çekisë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin në shtetin e Çekisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.