FMN 1.3 mld dollarë mbështetje financiare emergjente, Ukraina: Do t’i përdorim për të forcuar ushtrinë dhe…

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) njoftoi se në kuadër të programit të ri “Dritarja e Goditjes Ushqimore” ka miratuar mbështetjen financiare prej 1.3 miliard dollarësh për Ukrainën.

Në një deklaratë nga FMN-ja thuhet se Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të FMN-së miratoi mbështetjen financiare emergjente për Ukrainën.

Në deklaratë vihet në dukje se në kuadër të programit të ri “Dritarja e Goditjes Ushqimore” Ukrainës do t’i paguhen 1.3 miliard dollarë me qëllimin për të ndihmuar në plotësimin e nevojave urgjente të balancës së pagesave të vendit.

Mbi 7 muaj kanë kaluar në luftën që Rusia ka filluar në Ukrainë, rikujtohet në deklaratën ku theksohet se humbjet njerëzore dhe ekonomike të luftës vazhdojnë të jenë të mëdha dhe se kjo ka sjellë bashkë edhe nevojat e mëdha dhe emergjente financiare dhe të financimit të jashtëm.

Më tej theksohet se në një situatë ku popullata është zhvendosur masivisht dhe ku banesat dhe infrastruktura bazë janë shkatërruar, pritet që ekonomia e Ukrainës të pësojë tkurrje me 35 për qind në vitin 2022.

Në deklaratën e FMN-së bëhet e ditur se zyrtarët ukrainas meritojnë vlerësim të konsiderueshëm për sigurimin e një stabiliteti të rëndësishëm makro-financiar nën kushte jashtëzakonisht të vështira.

Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv të FMN-së më 5 tetor në kuadër të instrumentëve të financimit emergjent, miratuan programin “Dritarja e Goditjes Ushqimore”.

Në një deklaratë nga fondi thuhej se dritarja e re e financimit, do të sigurojë qasje shtesë për financimin e situatës emergjente për vendet që kanë mbetur përballë me nevojat e balancës së pagesave urgjente lidhur me krizën globale të ushqimit.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, i cili tha se Kievi do ta përdorë kredinë për të forcuar ushtrinë, për të paguar pensionet e banorëve, për të mbështetur programet sociale dhe masat ekonomike
“1.3 miliardë dollarë fonde shtesë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë mbërritur në Ukrainë”, ka thënë kryeministri Shmyhal sot në Telegram.
Sipas FMN-së, kërkesat për financim do të jenë rreth 3-4 miliardë dollarë në muaj në vitin 2023.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *