I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të enjten se Kosova dhe Serbia nuk duhet të shpërdorojnë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian në vitin 2024.
Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë, ku tha se është diskutuar për rrugën përpara drejt këtij normalizimi, çështjen e energjisë dhe të targave të makinave. Zoti Lajçak tha se të hënën do të qëndrojë në Beograd për të diskutuar për këto çështje me udhëheqësit e Serbisë.
Ai tha se situata politike në vendet euro-atlantike është shumë e favorshme për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk jemi të shpërqendruar nga zgjedhjet dhe kemi aleancë unike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, mbështetje të fortë nga Mbretëria e Bashkuar, të gjithë janë të përqendruar në dialog dhe të gjithë presin që dialogu të prodhojë normalizim”, tha ai.
Zoti Lajçak tha se nuk ka një afat të caktuar për marrëveshjen.
“Nuk do të thosha që viti tjetër është vendimtar, por e kam thënë më shumë se një herë se e kemi këtë dritare mundësie që do të zgjasë deri në zgjedhjet evropiane dhe amerikane në vitin 2024. Mendoj që është përgjegjësia jonë që të mos e shpërdorojmë këtë mundësi”, tha zoti Lajçak.
Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të nxitur përparim në bisedime dhe të martën Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken bisedoi në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç mbi rëndësinë e bisedimeve.
Muajin e kaluar kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron angazhuan këshilltarët e tyre të cilët qëndruan në rajon për të mbështetur bisedimet. Pas vizitës së tyre u tha se ka një nismë franko-gjermane për përmbylljen e bisedimeve Kosovë – Serbi, por nuk është propozim përfundimtar.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se Franca dhe Gjermania kanë paraqitur një dokument me të cilin kërkojnë që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por pa e njohur pavarësinë e saj, ndërsa në shkëmbim Serbisë do t’i ofrohet përshpejtimi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se po diskutohen modele të ndryshme, por nuk ka diçka përfundimtare apo vendimtare që do të mund të thuhej se ky është propozim franko-gjerman.As Parisi dhe as Berlini nuk e kanë konfirmuar ekzistencën e një oferte të tillë. Zoti
Lajçak nuk foli për ekzistimin e nismës por vlerësoi përfshirjen e presidentit Macron dhe kancelarit Scholz si dhe telefonatës së sekretarit Blinken me udhëheqësit e të dyja vendeve.
Serbia e cila mbështetet në përkrahjen e Moskës, kundërshton pavarësinë e Kosovës që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e vendeve kryesore perëndimore. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është kusht për integrimin e saj në Bashkimin Evropian dhe të dyja vendet janë përfshirë në bisedime që nga viti 2011 por me pak përparime./VOA