Norma e rikuperimit të kredive me probleme nga sektori bankar në tremujorin e dytë të këtij viti ka arritur nivelet më të larta të periudhës post-pandemike.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë tremujorit të dytë norma e rikuperimit të kredive me probleme u përmirësua, duke u rritur në 16% nga 7% që ishte një vit më parë.
Norma e rekuperimit tregon vlerën e kredive që janë hequr nga kategoria e kredive me probleme dhe që kanë kaluar në klasat performuese gjatë një viti, në raport me tepricën e kredive me probleme në fund të periudhës.
Kjo ecuri tregon përmirësim të ndjeshëm të aftësisë së huamarrësve për të rikuperuar kreditë me probleme. Ky tregues kishte ardhur në përmirësim të vazhdueshëm deri në fund të fund të vitit 2019.
Më pas, shpërthimi i pandemisë dha një efekt të drejtpërdrejtë dhe norma e rikuperimit të kredive me probleme pësoi rënie të ndjeshme, deri në tremujorin e parë të vitit 2021. Prej atij momenti, norma e rikuperimit ka ardhur në rritje të vazhdueshme.
Edhe norma e dështimit të kredive, që tregon shpejtësinë me të cilën akumulohen kreditë e humbura në krahasim me portofolin e përgjithshëm të kredisë, ra në nivelin 0.9% në fund të qershorit 2022, nga 1.6% dhe 2.3% gjashtë muaj dhe një vit më parë.
Ky tregues shpreh fluksin e ri të kredive të humbura gjatë një viti ndaj tepricës së përgjithshme të kredisë në fund të periudhës. Rënia e normës së dështimit gjatë 12 muajve të fundit sinjalizon rrezik më të menaxhueshëm të portofolit të kredisë.
Megjithatë, në tremujorin e dytë të këtij viti është shënuar një rritje e lehtë në kreditë e reja me probleme, që shpreh fluksin e ri i kredive me probleme gjatë periudhës ndaj tepricës së kredive të rregullta në fund të periudhës.
Në fund të qershorit 2022, fluksi i kredive të reja me probleme ishte sa 1.8% e kredive të rregullta, me rritje krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe me fundin e vitit 2021, por sidoqoftë në nivele dukshëm më të ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky shfaqur një rënie të vazhdueshme deri në fillim të vitit 2020, periudhë që përkon me shpërthimin e pandemisë.
Gjatë vitit 2020, shkalla e kredive të reja me probleme shënoi një rritje të përkohshme, ndërsa në vitin e kaluar u shënua një rënie e ndjeshme.
Treguesit plotësues të Bankës së Shqipërisë në përgjithësi konfirmojnë një ecuri në përmirësim të kredive me probleme, pavarësisht se që nga fillimi i këtij viti ekonomia po përballet me një rritje të shpejtë të inflacionit.
Sipas të dhënave më të fundit, raporti i kredive me probleme shënoi një tjetër ulje të lehtë në muajin gusht dhe zbriti në 5.2%, niveli më i ulët që prej fundit të vitit 2008, para shfaqjes së efekteve të krizës financiare.
Megjithëse deri tani efektet e inflacionit të lartë nuk janë të dukshme në pamje të parë, bankierët mendojnë se gradualisht është e pritshme që sektori të përballet me një rritje të raportit të kredive me probleme./Monitor