Franca dëshiron që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me Sistemin Evropian të Autorizimit të Udhëtimit dhe Informacionit (ETIAS), ka mësuar Radio Evropa e Lirë (RSE) nga burime të besueshme.
Kështu, mësohet, ka thënë përfaqësuesi francez në mbledhjen e Grupit Punues për Viza më 13 tetor, i cili po shqyrton për herë të parë rekomandimin e Komisionit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Përfaqësuesi francez prezantoi edhe një sërë kërkesash që Kosova duhet t’i plotësojë për të vazhduar me procedurat përkatëse. Ndër kërkesat, mësohet se është edhe një marrëveshje për ripranimin dhe harmonizimin e regjimit të vizave me Bashkimin Evropian (BE).
Pas shqetësimeve në rritje për terrorizmin dhe krizën e emigrantëve, zyrtarët evropianë kanë kërkuar prej kohësh një qeverisje më të mirë në kontrollin e njerëzve që hyjnë në kufijtë e BE-së.
Nëpërmjet këtij sistemi të autorizimit të udhëtimit do të mblidhen dhe përditësohen informacionet e nevojshme për të vërtetuar se personi nuk përbën kërcënim për sigurinë. ETIAS duhet të aktivizohet në fillim të vitit të ardhshëm dhe sipas planit do të jetë plotësisht funksional në fund të vitit 2023.
Mikpritësja e takimit, Presidenca Çeke e Unionit, u dha afat një javor të gjitha vendeve që kanë kundërshtime që ta paraqesin me shkrim deri më 21 tetor.
Përveç rezervave të shprehura nga Franca, pohojnë burime të RSE-së, asnjë nga shtetet anëtare nuk është shprehur kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.
Grupi punues për viza “në masë të madhe” ka mirëpritur rihapjen e diskutimit për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën dhe në përgjithësi ka mbështetur procesin e liberalizimit të vizave, njoftoi Presidenca Çeke e Bashkimit Evropian.
“Për të ecur përpara në këtë dosje, do të jetë e nevojshme të sqarohen një sërë temash të lidhura dhe të vazhdohet diskutimi”, thuhet në deklaratë.
Burime nga presidenca çeke theksuan se është logjike që takimi të mos ketë sjellë rezultate pasi ishte diskutimi i parë për këtë çështje.
Takimi i nëntorit i grupit të punës për vizat, siç bëhet e ditur jozyrtarisht, do të jetë momenti i radhës kur do të vazhdojë diskutimi për këtë çështje. Grupet e punës për viza mblidhen një herë në muaj, ndërsa takimi i radhës është planifikuar për 9 dhe 10 nëntor.
Fillimi i procedurave legjislative
Takimi i së mërkurës shënoi fillimin e procedurave legjislative, të cilat duhet të sjellin vendim për liberalizimin e vizave. Në takim morën pjesë edhe diplomatë të vendeve anëtare të BE-së, të cilët merren drejtpërdrejt me çështjet e Ballkanit Perëndimor.
Është një grup ekspertësh, të cilët do të shkëmbejnë mendime për rekomandimin e Komisionit Evropian, i cili që nga viti 2018 pretendon se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Kjo do të jetë hera e parë që Këshilli i BE-së do të diskutojë zyrtarisht për liberalizimin e vizave për Kosovën, sepse në vitin 2016 për herë të parë është dhënë një opinion pozitiv por i kushtëzuar i Komisionit Evropian për përmbushjen e kritereve nga Kosova. Më pas mbeti të plotësohej kushti i ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si dhe rezultate bindëse në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në vitin 2018, Komisioni Evropian përfundimisht arriti në përfundimin se janë përmbushur të gjitha kriteret dhe rekomandoi që Kosova të përfshihet në listën e vendeve, qytetarët e të cilave nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në vendet që i përkasin zonës Shengen.