Një 30-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Gjirokastrës pasi transportonte emigrant të paligjshëm.
Uniformat blu raportojnë se I. T., u kap në aksin nacional Tepelenë-Levan ku po transportonte 4 emigrantë nga vendet MENA kundrejt fitimit të parave.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Road Guard 44”.
Transportonte 4 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 30-vjeçari.
Sekuestrohen 1 automjet, 2 aparate celulare dhe një shumë parash.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i një pune hetimore me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Road Guard 44”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. T., 30 vjeç, banues në Durrës.
Arrestimi i shtetasit I. T. u bë pasi është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin nacional Tepelenë-Levan, në vendin e quajtur Krahës, duke transportuar me automjetin tip “Mercedes Benz”, 4 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, dy aparate celulare dhe një shumë parash.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.