Shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi shfaqi një tendencë të dukshme rënëse në tremujorin e tretë të këtij viti.
Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, ky tregues shfaqi rënie për të gjitha degët kryesore të ekonomisë, me përjashtim të ndërtimit.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e tregtisë shënoi nivelin 72.9%, në rënie me 3.3 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e dytë. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e shërbimeve ra gjithashtu në 78.6%, 2.9 pikë përqindje më pak krahasuar me tremujorin e dytë. Rënia e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve ishte më e kufizuar për sektorin e industrisë. Për tremujorin e tretë ky tregues shënoi nivelin 80.9%, 0.3 pikë përqindje më pak krahasuar me tremujorin e dytë.
Ndërkohë, ndërtimi ishte i vetmi sektor që raportoi rritje të shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve, me 4.8 pikë përqindje, duke arritur nivelin 72.6% për tremujorin e tretë.
Ndërkohë, edhe treguesi i gjendjes financiare të bizneseve u përkeqësua për të gjithë sektorët gjatë tremujorit të tretë të vitit 2022.
Rritja e shpejtë e çmimeve duket se ka dhënë një impakt negativ në aktivitetin e biznesit dhe përkeqësim në treguesit e besimit. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) për shtatorin pësoi një rënie të mëtejshme me 1.9 pikë në muajin shtator. TNE paraqitet në rënie për të tretin muaj radhazi dhe ka shënuar nivelin më të ulët të regjistruar gjatë vitit 2022.
Bizneset po përballen me rritje të kostove të prodhimit për shkak të shtrenjtimit të lëndës së parë, të transportit dhe, në rastin e konsumatorëve të mëdhenj, edhe të energjisë elektrike. Kjo ka sjellë rritje të ndjeshme për shumicën e mallrave dhe shërbimeve, duke krijuar premisa për një një ngadalësim gradual të konsumit në ekonomi. Në një situatë të tillë, shumica e sektorëve kanë raportuar një shfrytëzim më të ulët të kapaciteteve prodhuese. Për momentin, ndërtimi vazhdon të bëjë përjashtim, duke e konfirmuar veten si sektori më i shëndetshëm në periudhën e post-pandemisë. Ky sektor po mbështetet nga lulëzimi i tregut të pasurive të paluajtshme dhe nga një vijimësi e kontributit të shpenzimeve publike.
Të dhënat e Instat për rritjen ekonomike treguan se efektet negative të situatës inflacioniste ishin të prekshme qysh në tremujorin e dytë, që shënoi një ngadalësim të ndjeshëm të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2.2%, nga 6.5% që kishte qenë rritja për tremujorin e parë. Të gjitha projeksionet tashmë e vendosin rritjen e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti në nivele ndjeshëm më të ulëta krahasuar me vitin 2021.
Pritet që ekonomia shqiptare këtë vit të shënojë një rritje në kufijtë e 3%, nga 8.5% që kishte qenë rritja e vitit 2021. Për dy vitet në vijim, rritja parashikohet të ngadalësohet më tej. Në projeksionet e fundit, Banka Botërore e vendos rritjen e pritshme ekonomike të Shqipërisë në 2.3% për vitin 2023 dhe 2.5% për vitin 2024./Monitor