Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka pritur sot Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Christiane Hohmann, e cila i dorëzoi zyrtarisht raportin e progresit për Shqipërinë.
Me anë të një njoftimi, njoftohet se Begaj ka garantuar ambasadoren se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet një prioritet strategjik dhe objektiv i pandryshueshëm.
Në diskutimin me ambasadoren e BE, Presidenti Begaj ka theksuar se u bën thirrje për përgjegjshmëri e transparencë të gjithë institucioneve shtetërore, për përfshirje të gjithë aktorëve institucionalë, politikë e shoqërorë, duke e konsideruar integrimin një objektiv dhe interes parësor kombëtar.
“Prita sot Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, znj. Christiane Hohmann dhe u njoha me raportin e progresit për Shqipërinë. Duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme, që Komisioni Evropian dhe vendet e BE-së, i kanë dhënë Shqipërisë gjatë rrugëtimit në procesin e integrimit, konfirmova se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është dhe mbetet një prioritet strategjik i dhe objektiv i pandryshueshëm. Ky raport do të shërbejë si një udhërrëfyes i paanshëm për Kuvendin e Shqipërisë, Qeverinë dhe të gjitha institucionet përgjegjëse për vijimin e reformave në vend. Konsensusi dhe mbështetja e agjendës së integrimit nga pozita dhe opozita është e domosdoshme për përparimin e reformave dhe adresimin e gjitha çështjeve të ngritura në raport”, shkruan Begaj.