Gjakderdhja e mishrave të dhëmbëve është mjaft e shpeshtë mes njerëzve dhe është kryesisht shenjë e sëmundjeve të ndryshme të mishrave të dhëmbëve, që shkaktohen ndër të tjera nga grumbullimi i baktereve dhe pllaka dentare. Disa njerëz besojnë se larja agresive është arsyeja kryesore e gjakderdhjes, çka mund të jetë e vërtetë, por ka edhe arsye të tjera që mund të mos i dini.
Ekspertët shohin shpesh gjakderdhje të mishrave të dhëmbëve tek studentët që nuk hanë mirë, flenë shumë vonë dhe janë të stresuar për orët e mësimit. Faktorë që ndikojnë në aftësinë e trupit për të luftuar inflamacionin e shkaktuar nga bakteret e gojës. Është thelbësore që të ndiqni një dietë të ekuilibruar dhe të flini mjaftueshëm, e kjo jo vetëm për të mirën e mishrave të dhëmbëve.
Nga ana tjetër, medikamente si antidepresantët dhe ilaçet për presionin e lartë të gjakut, shkaktojnë tharje të gojës, çka bën që bakteret në gojë të shumohen duke bërë që mishrat të irritohen, të fryhen dhe të rrjedhin gjak. Diskutoni këtë mundësi me dentistin ose mjekun tuaj.
Po ashtu, gjendjet kronike si diabeti mund të ndikojnë në sistemin imunitar dhe të çojnë në ënjtje dhe gjakderdhje të mishrave të dhëmbëve. Nëse vëreni gjak në mishrat e dhëmbëve për një kohë të gjatë, konsultohuni me mjekun tuaj për mundësinë që t’i nënshtroheni një kontrolli.