Nga Klara Dervishi
Lufta në Ukrainë dhe paqartësitë e Perëndimit për të reaguar në unison duket sikur kanë krijuar një situatë më të qartë nga ana e BE dhe SHBA që ka interes të ruajë një paqe solide në Ballkan dhe të largojë ndikimin e Putin në këtë rajon. Në fakt një ndikim që vetë Europa e injoroi me ose pa vetëdije atëherë kur nuk duhej heshtur apo nuk duhet të mbizotëronte naiviteti për veprime që nën petkun e investimeve fshihnin një tjetër synim djallëzor të Putin në Ballkan. Është e rëndë të dëgjosh nga ish presidenti kosovar Behgjet Pacolli se në kohën kur mbante postin e ministrit të jashtëm ai dhe delegacioni që kryesonte kanë ngritur shqetësimin e bazës ushtarake ruse në Nish (ku sot Perëndimi beson se është një qendër spiunazhi ruse) dhe një zyrtar i lartë perëndimor ka thënë se baza ndërtohet vetëm për qëllime humanitare. Pacolli në një intervistë për Priza.al analizon situatën politike në Kosovë, baltën e hedhur nga partia aktuale në pushtet për ish drejtuesit përfshirë dhe atë vetë dhe kërkon që qeveria e Albin Kurtit të mos “flejë” por të reagoj në kohë ndaj deklaratave të Beogradit dhe të jetë aktive në nismat e Ballkanit. Ata që sot sulmojnë kontribuesit e vërtetë sipas Pacollit dikur ishin në anën e kundërt të historisë.
Priza.al ka biseduar me presidentin e parë të Kosovës, Behgjet Pacolli
16 Tetor, Prishtinë
- Ju ka irrituar me të drejtë një video e publikuar nga VV ku ju personalisht, ish kryeministri Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa, Ramush Haradinajt, e Fatmir Limajt, cilësoheni si “shkatërruesit e shtetit”. Kush nuk e do Kosovën zoti Pacolli? Duket se ka edhe nga ata që deklarojnë se janë Shqiptarë që nuk e duan me zemër Kosovën ose që tjetër thonë e tjetër bëjnë: Ka shumë të tillë në Kosovë zoti Pacolli?
Një video e tillë më irritoi për një arsye të thjeshtë. Është bërë zakon i çoroditur në Kosovë që kushdo pa asnjë bazë të akuzohet për tradhtar, si kryetar shteti e çdo gjë tjetër u bëhen etiketime negative personaliteteve pa asnjë bazë, pa asnjë të drejtë dhe mbi të gjitha pa moral.
E shoh veten në një video skandaloze të publikuar nga partia më e madhe e Kosovës që sot qeverisë Kosovën tonë. Në atë video jam quajtur shkatërruesi. Për mua shkatërruesit janë ata që vetëm konsumojnë paranë e taksapaguesve e në këtë rast edhe lekët e mia. Këto dy vite Kosova po degradohet në çdo aspekt, infrastruktura, ambienti e çdo gjë tjetër që ka nevojë për dorën e njeriut të cilën ata nuk janë në gjendje të japin. Deri tani vetëm kanë sharë e fyer e nëse vazhdojnë kështu nuk di si do të duket Kosova Unë shpresova dhe besova se ata do të punojnë për Kosovën dhe i votova në Kuvend sepse mendova se e meritonin votën time. Nuk gjej fjalë se sa poshtë mund të shkosh. Sinqerisht nuk kisha në plan të reagoja por kjo nuk është hera e parë që luajnë me personalitetin tim. Le të qeverisin, Kosova po përjeton krizë të madhe ekonomike, përralla janë ato për lulëzim ekonomik, mjafton në Prishtinë të shohësh gjendjen, lëre më jashtë saj që është e më keq.
Unë kam nënshkruar pavarësinë e Kosovës, kam promovuar vendin në tërë botën, i kam sjell mbi 40 njohje e ata, asnjë. Kam krijuar ekzistencë financiare për mbi 60.000 qytetarë të Kosovës që nga koha nga kur ju ende nuk keni ekzistuar. Unë kam ndihmuar e vazhdoj ta bëj për njerëzit në nevojë të Kosovës me dhjetëra miliona euro e ju vetëm i shfrytëzoni ata njerëz. Unë kam ndërtuar dhe dhuruar universitete, shkolla, ndërtesa e shumëçka, e ata asgjë.
2. Në fakt kjo video është një “turp“ në këndvështrimin tim. Atëherë kur duhet unitet mbillet përçarje. Kë dëmton kjo dhe pse e bëjnë këtë drejtuesit e VV kur dihet që jetojmë në një kohë të trazuar me viktima lufte?
Ne po shohim në Kosovë një model që e kemi parë vitet e fundit në Hungari, Poloni, Serbi dhe shumë vende të tjera ku demokracia është degraduar dhe janë vendosur autokraci. Sot në Kosovë jemi në prag të vendosjes së një autokracie që po shkatërron rendin demokratik, shih Kuvendin sot, shumica e deputetëve të VV-së kanë hapur xhirollogari bankare për herë të parë kur janë bërë deputetë, shohim institucionet e degraduara para shkatërrimit dhe raste gjyqësore të ndryshme, një popullsi dhe njerëz profesioniste që po ikin, një ekonomi që po shkatërrohet dhe që po mbytet nga politika populiste dhe mbi të gjitha një Kosovë e izoluar e cila nuk po arrin t’i përgjigjet as ministrit të jashtëm serb që flet për njohje, le vetëm për të lobuar në mbarë botën kundër kësaj fushate. Unë shoh një situatë të keqe dhe kam frikë se dimri dhe kriza energjetike që po na vjen do të rrëzojë shumë biznese, do të shkatërrojë vendet e punës dhe mund të na sjellë një rishikim ekonomik. Kjo është tabloja reale e Kosovës sot dhe video të tilla synojnë ta fshehin këtë realitet, i cili është i pamundur në Kosovë sepse ende, për fat të mirë ekziston një ambient mediatik që nuk i bindet qeverive. Kjo është diçka që duhet të falënderojmë mediat por edhe ta vlerësojmë këtë kontribut, i cili nuk është i vogël për të ruajtur demokracinë tonë.
3. Në fakt çfarë ka ndodhur në këto 20 vite në Kosovë? Nëse mund të kemi një panoramë. VV thotë: Ja këta janë “Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë për 20 vite kanë qeverisur vendin”. Duket sikur VV ka harruar që po qeveris për më shumë se një vit dhe sillet sikur të jetë në opozitë e kërkon të marrë pushtetin.
VV dhe Kryeministri Kurti qeverisin për një vit e gjysmë, të mos harrojmë një periudhë të shkurtër në vitin 2020. Unë jam që kjo qeveri të vazhdojë mandatin deri në fund. Dhe çdo përpjekje për zgjedhje të parakohshme në Kosovë duhet të kundërshtohet. Por për një gjë jam i sigurt nuk po shohim qeverisje por menaxhim zyrash në stilin e tallavasë. Ka një degradim të skenës politike dhe fjalorit politik në Kosovë. Nuk shohim beteja për ide, vizion por një turbofolkizëm që bëhet çdo ditë.
Mbi të gjitha është diçka që nuk mund ta kalojmë lehtë sot. Të thuash që Kosova u shkatërrua për 20 vite që do të thotë se ky shtet ishte më e mirë deri në vitin 1999. Por deri në vitin 1999 Kosova ishte nën aparteid dhe kishte një luftë gjenocidale në Kosovë. Shtëpi, banesa, shkolla, spitale, fabrika të shkatërruara nga serbët. Qytete të shkreta me fshatra pa rrugë, ndriçim, kanalizim dhe ujë, infrastrukturë, aeroport, autostrada, institucione dhe mbi të gjitha pa liri e pavarësi. Të thuash që Kosova është shkatërruar për 20 vjet është amnisti për aparteidin dhe gjenocidin serb në Kosovë dhe mallkim për lirinë dhe pavarësinë. Por nuk kanë faj të shkretit, nuk janë pjesë të përpjekjeve për liri dhe luftës çlirimtare, si dhe të shpalljes së pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit. Ata ishin në anët e kundërta. Sot dihet se Kosova ka një kryeministër që bojkotoi ceremoninë e shpalljes së pavarësisë në shkurt 2008. Nuk kemi çfarë të flasim më shumë. Kemi një kontradiktë. Përfaqësues perëndimorë nga ambasadori amerikan, tek sekretari i shtetit, personalitete të ndryshme perëndimore thonë se Kosova ka bërë një zhvillim të madh në këto 20 vjet që nga çlirimi i saj nga Serbia. Nëse shikojmë retorikën e VV-së për 20 vitet e fundit, ajo video dhe retorikë nuk ndryshojnë shumë nga një oped që ministrat e jashtëm serb dhe rus kishin shkruar për 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2018. Kjo më shqetëson se si arritëm deri në këtë pikë ne të flasim për vendin tonë si Moska dhe jo si Uashingtoni apo Brukseli, apo vet realiteti mbi të gjitha. A mund të ishin bërë shumë gjëra më mirë, po dhe ka shumë gabime por kjo nuk është arsye për të parë vetëm trishtim. Me asnjë masë apo parametër, Kosova nuk ka qenë kurrë më e mirë në histori se sa sot dhe këto dy dekadat e fundit.
4. Dhe çfarë ka ndodhur në 14 vite shtet i pavarur?
Shihen qartë arritjet e dy dekadave të fundit dhe pas pavarësisë. Ne jemi të lirë dhe të pavarur, nuk ka përparim më të madh se kjo. Jemi më mirë ekonomikisht se kur u kthye popullata në shtëpitë e djegura nga serbët, ka institucione që janë demokratike, më të mira se të gjithë fqinjët tanë, kemi një ekonomi që ka gjetur veten dhe sot përballet me kriza sepse politika nuk di t’i trajtojë siç duhet sfidat globale, ne kemi një situatë më të mirë në çdo fushë. Janë bërë shumë gabime, unë vetë jam kritik i shumë gjërave, besoj se mund të bëhej më mirë në arsim, shëndetësi, drejtësi dhe energji. Ka fusha ku ka munguar progresi por kjo nuk është arsye për të sharë vendin si më të dështuarin. Kosova është më funksionale në shumë drejtime sesa vendet e rajonit, se sa politika dhe qeveria të shfrytëzoj potencialin dhe kapacitetin që ka Kosova është çështje tjetër.
5. Si ka drejtuar në aspektin e politikës së jashtme dhe këtë e bën vetëm kryeministri Kurti. Kisha harruar për një moment kush ishte ministre e jashtme e Kosovës por kemi një lënie në hije të zonjës Gërvalla.
Gjithmonë kam thënë se jam i gatshëm ta ndihmoj Kosovën në politikë të jashtme, e shoh si interes kombëtar dhe jo si një garë e brendshme politike, e cila e ka penguar progresin për shumë vite. Besoj se Kosova duhet të mbetet në dialog me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, të gjejë një gjuhë të përbashkët me aleatët për temat e rëndësishme, të luftojë agresionin diplomatik serb ndaj Kosovës dhe të jetë më ambicioze në aspektin e synimeve. .
6. Dhe në fakt gjithë sa ka ndodhur deri tani përfshirë edhe ulja e Vuçiç në tryezën e Brukselit edhe pse ende nuk kemi një marrëveshje, a shihet si një lëvizje taktike e Kurtit pra pozitive?
Kryeministri Kurti ka bërë mirë që ka hyrë në dialog. Dialogu nuk është shpikje as e Kosovës dhe as e Serbisë. Por një mekanizëm i krijuar nga aleatët tanë për të trajtuar tema të hapura mes dy shteteve, mbi të gjitha të një marrëveshjeje me njohje reciproke. Ky term u prezantua për herë të parë nga presidenti Trump dhe sot kjo është një kërkesë zyrtare ndaj Serbisë, jo me atë që quhej një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme, e cila ishte më e paqartë. Pra, kryeministri Kurti e di që nuk mund të ndryshoj mënyrën e dialogut. Ai e kundërshtoi dhe luftoi marrëveshjet e arritura në dekadën e fundit, tani po i zbaton vetë ato marrëveshje. Nëse do të ishin aq të këqija, ai do të kundërshtonte siç ka bërë. Dalëngadalë do të vijmë në qëndrimin ku kryeministri Kurti do ta pranojë vendimin për Manastirin e Deçanit, Asociacionin e Komunave Serbe, fusnota tash e ka pranuar nuk e kundërshton. Ajo që pres nga kryeministri Kurti është të sqarojë se çfarë do të thotë njohje reciproke në qendër, a është ky formulim se nuk do të ketë njohje eksplicite sepse në diplomaci njohja është akt formal, jo proces as në qendër e as në fillim e as në fund, por një akt i plotë. Por besoj se është mirë që po angazhohet dhe duhet të vlerësojmë rezultatin në fund.
7. Në fakt zoti Pacolli kjo bëhet edhe më e diskutueshme kur flitet për një ndikim filorus në Ballkan. E shihni ju ekzistencën e një ndikimi të tillë edhe në Kosovë?
Në Ballkan porta e Rusisë është Beogradi dhe Banja Luka. Rusia ka synime të pengojë rajonin të afrohet me perëndimin i kujtoni ngjarjet në Mal të Zi para anëtarësimit në NATO, Maqedonisë së Veriut para marrëveshjes së Prespës, mandej në Kosovë turbullirat politike dhe shumë zhvillime të tilla. Pra në njërën anë kemi këtë tendencë dhe anën tjetër që është qëllimi i njëjtë, të pengohet qëllimet perëndimore në Rajon. Sa ia del sot Moska të bëjë këtë kam dyshime. Po shohim një kolaps të ndikimit rus edhe në rajonet tradicionale të ndikimit rus si Kaukazi apo Azia Qendrore. Për këtë kemi nevojë që elitat politike në Kosovë dhe në Rajon të jenë aleat të vërtet të Perëndimit. Në të kaluarën si me demarkacionin, kemi bërë gabime ku me një naivitet gati se Kosova u bë pengesë për anëtarësim të Malit të Zi në NATO me gjithë atë kaos politik. Këto gabime nuk bën të përsëriten më.
8. Pse dhe si depërtoi Putin dhe ndikimi i tij në Ballkan? Kemi të bëjmë me një gabim strategjik të BE pra një nënvlerësim të këtij rreziku apo kemi thjesht të bëjmë me një harresë në drejtim të Ballkanit?
Ka shumë arsye. Ka qenë një naivitet në perëndim që e ka parë Rusinë si një vend normal nën sundimin e Putinit. Për interesa ekonomike janë sakrifikuar shumë qëllime dhe vlera. Sot Evropa po bart pasojat dhe ky naivitet ka ndikuar në Ballkan. Zgjerimi nuk është parë si një projekt politik por teknik dhe ansjera nuk përjashton tjetrën por vendimet strategjike më së paku janë teknike e më së shumti janë politike. Po shohim një këndellje tani më, të shohim me liberalizimin e vizave për Kosovës sa po është reale kjo.
9. Dhe kur jemi të Ballkani, Kosova duket sikur është lënë pas dore edhe nga ky grupim. Është fakt por një fakt që nga njëra anë ka të rreshtuar kryeministrin shqiptar Edi Rama në krah me presidentin serb Vuçiç në tryezën e Open Balkan dhe nga ana tjetër e një refuzimi nga kryeministri Albin Kurti të ulet aty. Kush humbet më shumë nga mospranimi i Kosovës aty?
Dua ta shoh edhe Kosovën në një klub me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, të mbështetur fuqishëm nga SHBA. Është koha e duhur (kemi 3 KM shqiptar), aty mund të meren vendime vetëm në favor të Kosovës, mos u frikësoni! Anglia ishte themeluese e Unionit Evropian dhe atëherë kur ajo e vlerësoi doli nga ky union. Edhe Kosova mund ta bëjë këtë nëse vëren që aty kërkohet te bëhet diçka që shkon në dëm të Kosovës. Kosova nuk guxon të heziton dhe të paragjykoi në rrugën e integrimit euroatlantik të mbështetur nga SHBA. Ajo duhet të jetë aty ku flitet për urat, për integrimet dhe për ardhmërinë evropiane. Izolimi i duhet më së paku Kosovës (Edhe Bledi e Berlini i fundit nuk shkuan në favor të Kosovës). Nuk ka nevojë të frikësohemi nga vendi ku flitet për sfidat!
10. A mund të themi gjithsesi se kjo ka edhe anën e saj pozitive? BE ka rikthyer vëmendjen ndaj Ballkanit edhe pse duket sikur kërkon t’i servirë lugën bosh.
Po e shohim një vullnet për një qasje të re. Vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kanë qenë të mirëpritura, kemi nevojë për progres dhe liberalizimin e vizave për Kosovën. Por gjithashtu kemi nevojë që Brukseli të jetë i qartë ndaj Beogradit për harmonizim të politikës së jashtme të Serbisë me Bashkimin Evropian. Kur kam qenë Ministër i Jashtëm shpesh e kam ngritur këtë si një shqetësim të Kosovës, me naivitet tentohej te shihej si diçka normale, për shembull në një takim kur ngritëm shqetësimet tona për bazën ruse në Nish, një zyrtar perëndimor me tha “nuk kemi këtë informatë për atë bazë, është vetëm humanitare”.
11. P.sh. Kosova ishte pjesë e Komunitetit Politik ku bëjnë pjesë jo vetëm vendet e BE por edhe kandidatët aty ishte dhe Kosova që duket larg me këtë proces përfshirë dhe atë të liberalizimit të vizave?
E para qysh në vitin 2018, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kane deklaruar se janë plotësuar të gjitha kriteret pas kalimit te demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend të Kosovës. Kosova ka humbur shansin në vitin 2016 të heq regjimin e vizave kur iu hoqën Ukrainës dhe Gjeorgjisë për faj të Kosovës kjo dështoi. Të kthehen momente të tilla kërkon shumë kohë dhe po besoj kemi arritur në një moment të tillë kur BE mund të marrë një vendim. Është momenti i fundit që të ndodh kjo, përndryshe BE nuk do të ketë kredibilitet në Kosovë. Nuk duhet rritur pritshmëria sepse vendimmarrjes në Bruksel nuk i dihet shpesh, për ketë besoj ka mesazhe të mira nga politika që të merren me rezerva çdo hap deri tek hapi i fundit.
12. Si e shihni krijimin e një Komuniteti të tillë të propozuar nga Franca? Ndërkohë kujtojmë që në 2008 po me propozimin francez u krijua Bashkimi për Mesdheun që synonte stabilitet dhe integrim apo më herët ka qenë procesi i Barcelonës në 1995, dhe sot në 2022 nuk kemi ndonjë objektiv të shpallur nga BE?
E shoh si një iniciativë të mirë ku synohet të diskutohen tema për të tashmen dhe të ardhmen e Evropës me të gjitha shtetet e saj. Bashkimi Evropian do të jetë e më i fuqishëm nëse përfshin në dialog politik të gjitha vendet evropiane jashtë BE-së, kjo mundëson koordinim të mirë dhe kundërshtim të qëllimeve të Moskës për të ndarë Evropën në vija të interesit sikurse në luftën e ftohtë.
13. Dhe në veri të Kosovës thuhet se ka prani trupash edhe ruse. A rrezikohet paqja në Ballkan?
Klara, të them të drejtën kam parë deklaratat e Vuçiçit, të Ministrit të Brendshëm dhe të Komandantit e KFOR-it ku flasin për njerëz të armatosur. Për Vuçiçin dihet ai është mbrapa tyre. Por më habisin Ministri i Brendshëm i Kosovës dhe Komandanti i KFOR-it që harrojnë të dytë çfarë pozite mbajnë. Si është e mundur të pranosh që ka pasur njerëz të armatosur dhe mos ndërmarrësh veprime. Komandanti I KFOR-it ka përgjegjësi që të mos tolerojë njerëz të armatosur në Kosovë. E shoh një dobësi karshi atyre grupeve kriminale që terrorizojnë banorët e veriut. Përndryshe prezenca e KFOR-it dhe mesazhet e qarta nga NATO janë garancia që nuk ka rrezik për ndonjë konflikt apo luftë. Lufta ka përfunduar, nuk do të bëhet me histori në Kosovë me luftë por me progres në paqe. Kush nuk e kupton këtë jeton në një univers tjetër.
14. Të qëndrojmë pak te lufta… A shihni një rrezik të përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia? Në fakt vetë Kremlini e ka mohuar, por a mund të jetë i besueshëm Putin?
Ka një praktikë në shumë kultura të bëhet fall i kafes. Nuk besoj se mund të bëj këtë. Por pa marrë parasysh çka do të ndodhë, vetë fakti që po flasim për sulme bërthamore, jemi kthyer në vitet 69-të mendësinë e krizës së Kubes dhe gjithë ai progres i bërë i përjashtimit të armëve bërthamore si armë konvencionale është vënë në pikëpyetje. Ka nevojë për një fuqizim të këtyre normave të etabluara posaçërisht nga SHBA dhe Bashkimi Sovjetik.
15. A shihni një dritë të vogël në tunelin e luftës nëse e quajmë kështu? Një dritë për marrëveshje apo një pranim nga ana e rusisë për ta ndalur këtë luftë?
Një gjë është e qartë. Ukraina duhet të fitoj e Rusia duhet të humbasë këtë luftë. Nuk ka asnjë formulë tjetër që stabilizon gjendjen, arrin paqen dhe sigurinë në Evropën në tërësi. Politika e appeasement duhet të ndalet, ka bërë mjaft dëme në këto dy dekadat në Evropë, Ukrainë që besa dhe në Kosovë.
16. Sulmet kibernetike në Shqipëri dhe jo vetëm. A janë ato një kërcënim për sigurinë Kombëtare?
Nuk habitem nga këto veprime të Iranit. Shqipëria bëri mirë që ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Irani është një vend armiqësor ndaj Shqipërisë dhe Kosovës. Kanë qenë aleat të Serbisë në betejën diplomatike ndaj Kosovës. Teherani ka penguar njohjen nga Iraku dhe Libani përmes grupeve të saja satelite në këto vende që janë të fuqishme, si Hezbollahu. Nuk besoj se do të ndalen Iranianët shpejt, mund të vazhdojnë me këso sulmesh por duhet një sanksionim më i gjerë ndërkombëtar me shumë solidaritet të tregohet.
17. Kur do rikthehet Pacolli në Politikë? Kam parasysh këtu rikthime si ajo e votimit tuaj për President apo edhe në poste të tjera drejtuese? Keni shumë mirënjohje nga Kosovarët dhe këtë e shoh edhe në komentet që bëjnë në profilin tuaj në FB dhe mirënjohja e shqiptarëve shpërblehet herët apo vonë?.
Unë jam në politikë. E udhëheq Aleancën Kosova e Re dhe jam deputet në Kuvendin e Kosovës. Jam duke kaluar shumë kohë me familjen dhe miqtë e mi, kohë që më ka munguar sa kam qenë më aktiv në skenën politike. E vlerësoj gjithmonë mesazhet që marr nga gjitha hapësirat shqiptare, jam një person që dëshiroj të mbaj komunikimin gjallë, të mos shkruaj vetëm për politiken, por dhe për ambientin që më shqetëson se si po degradon në Kosovë, të takoj njerëz nëpër fshatra kur i vizitoj ato për të parë bukuritë e Kosovës. Do të jem aktiv në Kosovë gjithmonë në çfarëdo kapaciteti, mbi të gjitha personal sepse besoj ia kemi borxh këtij vendi përkushtimin tonë.
18. Çfarë e bën të lumtur një njeri si ju zoti Pacolli?
Dekadat dhe vitet e fundit kanë qenë të ngarkuara për mua. Puna, politika, biznesi më kanë mbajtur shpesh larg familjes, udhëtimet kanë bërë që mos të jem shpesh në shtëpi por tentoj gjithmonë kohën të përkushtoj ndaj familjes, e gati këto dy vitet e fundit sa ka qenë pandemia, kam pasur mundësi të jem më afër familjes dhe të kaloj kohën me ata qoftë në Kosovë, Zvicër apo Shqipëri. Ka qenë një periudhë të cilën e kam shijuar dhe po e shijoj dhe më ka dhënë mundësi të shoh kohën që shpesh e kam humbur larg shtëpisë.
*Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*