Kreu i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar ditën e sotme se PS është e gatshme për një tjetër takim me përfaqësues të Partisë Demokratike të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, për të diskutuar në lidhje me Reformën Territoriale.
Në një prononcim për mediat, Balla u shpreh se PS nuk bën asnjë pazar politik që bie ndesh me mirëqverisjen vendore, duke shtuar se sot shërbimet janë shumë herë më të mira se në vitin 2015.
“Gjithmonë ka vend për negociata, por kjo nuk mund të jetë diçka që të jetë pjesë e një pazari politik. PS nuk bën Pazar që bie ndesh me mirëqeverisjen, me shërbimet më të mira ndaj komuniteteve. Sot në Shqipëri bashkitë janë një transformim epokal me atë që kishim deri në 2015. Historia që në këtë vend kishte 384 kryetarë bashkish e komunash, me 384 shoferë, në një vend me më pak se 3 milionë banorë, ishte e papranueshme. Do bëjmë edhe një takim përfundimtar me Alibeajn dhe Çupin për të dialoguar dhe për tu dëgjuar, por unë e kam thënë që opinioni im është ky. Ditët në vijim le ta përmbyllim dhe në fund është detyrë e Komsionit të Posaçëm që të dalë me një qëndrim përfundimtar. Nëse kemi një qëndrim shumë mire”, tha Balla.