Kreu i PD, Sali Berisha ka reaguar sërish në lidhje me bojkotin e vitit akademik nga ana e pedagogëve, pasi kërkesat e tyre nuk u përmbushën.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se fondet për rrogat, bursa dhe pensionet po shpërdorohen nga qeveritarët.
Sakaq ka bërë thirrje për mbështetje të kauzës, pasi vetëm kështu universitetet nuk do shuhen.
“Qindra mijëra euro, helikopterë taksi për mbledhjet e partive, shpenzojnë ministrat shqiptarë. Para ka, por ato nuk shkojnë në destinacionin e duhur, nuk shkojnë te rrogat, bursat, pensionet për punonjësit, por shndërrohen në fonde që vidhen dhe shpërdorohen nga qeveritarët. Kërkoj plotësimin e menjëhershëm të kërkesave të sindikatës së pedagogëve. Iu bëj thirrje qytetarëve që të mbështesin kauzën e drejtë të universiteteve tona. Sot universitetet e vendit ishin në grevë dhe unë dua të përshëndes të gjithë ata pedagogë, mbrojtës të universiteteve dhe studentë që iu përgjigjen thirrjes së sindikatave për të nisur një grevë të fuqishme që ka për objektiv realizimin e kërkesave të tyre. Pas qëndrimit cinik arrogant të qeverisë, Sindikata vendosi të thërrasë për bojkot të mësimeve në Universitetet e vendit. Ky vendim është i rëndësishëm dhe synon të parandalojë shuarjen e universiteteve tona. Pedagog e studentë po kërkojnë ato që sot gëzojnë kolegë të tyre të Universitetit të Prishtinës. Sot pagat janë dy herë më larta në Prishtinë se sa në Tiranë . për shkak të rritjes së çmimeve qeveria në Kosovë vendosi të japë 100 euro për studentët. Në Shqipëri qindra mln euro vidhen për re djegësa që nuk ekzistojnë, vidhen mln euro dhe shpërdorohen, 4 mln për xhepin dhe syrin e Ramës, për instilacione druri”, tha ai.