Deputetja e PD-së, bashkëkryetarja e Këshillit Kombëtar për Integrimin europian, deklaroi sot se korrupsioni është shkaku kryesor i largimit të shqiptarëve.
Gjatë fjalës së saj për anëtarësimin në BE, Tabaku tha se një proces nuk mund të shkojë përpara, nëse të gjithë institucionet e vendit nuk janë në unison për drejtimin, ritmin, energjinë dhe frymën që duhet të ndjekim.
“Shqipëria kandidatja e përjetshme për anëtarësim në BE. Pak ditë më parë u publikua strategjia e zgjerimit dhe raporti për Shqipërinë, që çdo vit na tregon se ku jemi! Në fakt shumë nga ne në këtë sallë e jashtë kësaj salle e dimë shumë mirë gjendjen tonë. Kandidatja e përjetshme për anëtarësim në BE! Gjatë gjithë kësaj kohe në opozitë kam kërkuar përherë e më shpesh që të punohet për konferencën e parë ndërqeveritare, e të punohej pavarësisht një date.
Ky është raporti i parë që dorëzohet ndërsa Europa është e përfshirë nga një luftë e padëshiruar, por e detyruar. Një ngjarje e veçantë që ka ndryshuar, për mirë deri më tani, qasjen e BE-së ndaj parimeve të saj dhe në veçanti ndaj rajonit tonë, duket se Evropa po e gjen forcën së brendshmi. Por, megjithëse shumëçka duket se ka ndryshuar nga disa vende skeptike në raport me ne, shumë pak ka ndryshuar nga Shqipëria në raport me detyrimet karshi vetes sonë dhe padyshim BE-së.
Një proces nuk mund të shkojë përpara, nëse të gjithë institucionet e vendit nuk janë në unison për drejtimin, ritmin, energjinë dhe frymën që duhet të ndjekim. Tanimë që konferenca e parë është çelur, besoj është edhe më e qartë për këtë mazhorancë dhe qeverinë se ky është një proces merite që ka brenda tij së paku dy aktorë kryesorë. Për rrjedhojë, ky raport duhet të jetë një dokument pune”, tha Tabaku.