Huamarrja e bankave nga Banka e Shqipërisë, në nivelin më të lartë që prej 2018

Megjithëse Banka e Shqipërisë po lëviz me hapa të shpejtë drejt normalizimit të normave të interesit, mbështetja me likuiditet për sektorin bankar në muajt e fundit ngelet në nivele të larta.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, huaja për bankat tregtare nëpërmjet marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes në fund të muajit shtator arriti nivelin e 47 miliardë lekëve, 5.1% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo është njëkohësisht vlera më e lartë e këtij treguesi që prej janarit të vitit 2018.

Rritja e shpejtë e inflacionit ka bërë që Banka e Shqipërisë të ndërmarrë disa masa monetare me kah shtrëngues. Që nga muaji mars, norma bazë e interesit është rritur katër herë, me gjithsej 1.75 pikë përqindje. Ndërkohë, para se të rriste normën bazë të interesit, Banka e Shqipërisë pati vendosur kthimin në formën e ankandit të REPO-ve që aplikohej përpara pandemisë.

Me shpërthimin e pandemisë, në muajin mars 2020, Banka e Shqipërisë, përveçse uli normën e interesit të REPO-ve njëjavore në minimumin e ri historik prej 0.5%, ndryshoi edhe formën e marrëveshjeve, nga ankand me shumë të fiksuar në ankand me çmim uniform.

Ndryshimi i formës së ankandit u bë me qëllim për t’iu siguruar bankave akses të pakufizuar në likuiditet. Kjo lëvizje ndikoi në rritjen e përdorimit nga bankat tregtare të instrumenteve afatshkurtra të likuiditetit të bankës qendrore.

Por, që prej fillimit të këtij viti, Banka e Shqipërisë ka rikthyer formën e mëparshme të ankandeve, me çmim uniform. Ky vendim u mor nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit të kaluar dhe përfaqëson hapin e parë në drejtim të tërheqjes graduale të stimulit monetar.

Sidoqoftë, deri tani këto masa nuk duket ta kenë kufizuar shumë shfrytëzimin e instrumenteve të likuiditetit afatshkurtër nga bankat tregtare.

Ndikim në këtë drejtim mund të ketë luajtur kërkesa e qeverisë për një pjesëmarrje më të lartë të bankave në ankandet e instrumenteve të borxhit. Sidomos për të mbuluar një hendek në shkurtër kohor që krijohet mes maturimit të një instrumenti dhe emetimit të një instrumenti të ri, bankat mund të shfrytëzojnë huamarrjen nga banka qendrore, për të mbuluar boshllëqe të mundshme disaditore në likuiditet.

Huamarrja e bankave në Bankën e Shqipërisë zakonisht kryhet nëpërmjet instrumentit të marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes, ndërsa instrumentet e tjera, si, për shembull, kredia njëditore, kanë një përdorim më të rrallë.

Mbështetur në vendimmarrjen e këtij muaji të Bankës Qendrore, norma e interesit të marrëveshjeve të riblerjes njëjavore ka arritur në 2.25%, ndërsa ajo e kredisë ditore në 3.25%. Shfrytëzimi i instrumenteve të likuiditetit të Bankës qendrore po bëhet ndjeshëm më i kushtueshëm, po të kemi parasysh se deri në muajin mars, këta tregues ishin përkatësisht 0.5% dhe 0.9%.

Por, fakti që yield-et e bonove po rriten me ritme edhe më të shpejta në raport me normat e interesit të Bankës Qendrore e kompenson dhe tejkalon koston afatshkurtër nga përdorimi i këtyre instrumenteve./Monitor


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *