“Më 31 maj rihapet kolaudimi”/ Blendi Gonxhja sqaron qytetarët për kontrollin teknik të mjetit, ja si do të veprohet

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja ka shpjeguar sot rregullat e reja në lidhje me kontrollin teknik të automjeteve. I ftuar në ‘News24’, ai theksoi se më datë 31 maj do të rihapet kolaudimi, ndërsa shtoi se çdo çertifikatë e skaduar, favorizohet me plus dymbëdhjetë muaj.

“Ne po trajnohemi nga specialistët e pajisjeve. Ne punojmë me pajisje kompjuterike të reja. Ky është një shërbim që do të rregullohet aty ku duhet. Do bëjmë shtesë shërbimi në Durrës dhe në Tiranë. Kontrolli teknik i automjeteve do bëhet në fund të muajit. Më 31 maj do rihapet kolaudimi. Disa sektorë, që kanë lidhje edhe me transportin, përfshirë turizmin, janë në krizë, edhe për shkak të pandemisë.

Ne kemi nisur punën, që në fund të verës të të ofrojmë shërbim optimal. Kolaudimi nis me automjetet e transportit të mallrave. Duhen paguar taksat në kohë. Keni udhëzime pranë uebit të DPSHTRR. Çdo certifikatë e skaduar, dhe kolaudimi ka qenë i mbyllur, presupozohet se nuk ka qenë faji i qytetarit dhe favorizohet me plus dymbëdhjetë muaj. Edhe nëse ka marrë vulë për 1 muaj, disa muaj, ai përfiton 12 muaj mbi datën e skadencës që ka në mjet”, tha Gonxhja.

Blendi Gonxhja nënvizoi se shumica e aksidenteve rrugore vijnë nga manovrat e gabuara në rrugë.

“Personi që ka blerë një automjet të ri do të njoftohet sipas udhëzimeve që do dalin. Ai do të rezervojë online. Deri në ditën që do ketë rezervimin, ai mund të lëvizë, e ne do jemi në kontakt me Policinë e Shtetit, për lëvizjet. Për automjetet, çdo gjë është e lidhur me shtetin tonë. Ne duam ta fillojmë nga vetë shteti, të licensuarit, nga të vetë policisë ta themi, të organeve publike, që kanë flota të mëdha, sepse problemet më të mëdha janë në këto kategori e ne duam të japim vetë të parët shembullin. Kontrollet do të jenë më të shumta.

Ne na rezulton se shumica e aksidenteve vjen nga manovrat, papërgjegjësitë deri diku të vullnetshme e kryesisht moshat e mëdha, në përgjithësi njerëz që kanë pakujdesi në rrugë. Ky është një moment tranzitor, që duhet të ketë të bëjë me kulturën tonë automobilistike. Ju bëj thirrje qytetarëve të denoncojnë, edhe naftën e keqe. Një disiplinë më e madhe shton të ardhurat tona”, përfundoi Gonxhja.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *