Pushime si këto me gjasë nuk keni planifikuar ndonjëherë, por rrethanat dhe shumë faktorë të tjerë kanë bërë që Jennifer Lopez dhe Ben Affleck, festat e para si burrë e grua, në fakt t’i kalojnë me ish-bashkëshortët e tyre.
Por nëse duket si diçka e keqe për ju, për çiftin nuk është aspak, teksa burime pranë tyre bëjnë me dije se ata po presin me padurim që t’i kalojnë festat me ish-at, njësoj siç mezi po presin për pushimet e tyre të para vetëm për vetëm.
Kështu, mësohet se J.Lo dhe Affleck ‘Ditën e Falenderimeve dhe Krishtlindjet’, do t’i kalojnë me ish-at respektive, Marc Anthony dhe dy fëmijët binjakë që ka me këngëtaren, Max dhe Emme dhe me Jennifer Garner, e 3 fëmijët që ajo ka me aktorin, Violet, Seraphina dhe Samuel.
E gjithë kjo ‘sakrificë’ po bëhet për familjen dhe fëmijët dhe shpresojmë që t’i shkojë mbarë, duke marrë parasysh që këta të fundit janë në moshë të vogël ose adoleshentë. Merreni me mend si mund të shkojnë darkat…
“Ata kanë disa gjëra për të zgjidhur me fëmijët dhe ish-partnerët e tyre, por do të donin t’i kishin të gjithë fëmijët së bashku me ta si një familje e madhe dhe janë duke punuar për këtë. Krishtlindjet janë një nga festat e preferuara të Jennifer dhe ajo është shumë e emocionuar”,- është shprehur burimi pranë çiftit për “Entertaiment Tonight”, ndërsa ne duam vërtetë shumë që të kemi foto nga kjo ‘mbledhje familjare’.