Zgjatet deri në 2023 plani i dhënies së ndihmës shtetërore nëpërmjet skemës së granteve mbështetëse për sipërmarrësit që krijojnë biznese të gjelbra ose biznese ekzistuese të cilat tentojnë të shndërrohen në biznese të gjelbra.
Projekti për sipërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në territorin e Bashkisë së Tiranës ka nisur zbatimin nga 2020 dhe parashikohej të mbyllej në 2022.
Në vendimin e Ministrisë të Financave të botuar në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se afati i zgjatjes u mor pas kërkesës së Bashkisë së Tiranës për shtyrjen e afatit të Autorizimit të Ndihmës Shtetërore për vitin 2023.
Bashkia e Tiranës është autoriteti përgjegjës për zbatimin e projektit “Mbështetje Financiare (grant) për biznese të reja të gjelbra, të cilat bazohen në një model ekomiqësor ose biznese ekzistuese të cilat tentojnë të shndërrohen në biznese “të gjelbra”, duke futur elemente gogreen në to”.
Vendimi përcakton se efektet financiare të këtij projekti do të përballohen nga fondi për programin “Mbështetje për zhvillimin ekonomik” të parashikuar në buxhetin e bashkisë Tiranë për vitin 2021–2023.
Plani i ndihmës shtetërore në formën e granteve synon rritjen e konkurrencës dhe përmirësimin e disa ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në treg.
Baza ligjore e njoftimit të planit është miratuar me vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës në fund të dhjetorit 2019 “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2020–2022 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2020” në programin “Mbështetje për zhvillimin ekonomik”.
Vendimi i Bashkisë së Tiranës përcaktonte se brenda datës 31 mars të çdo viti, duhet të paraqesë raport për impaktin e ndihmës shtetërore gjatë vitit paraardhës financiar. Raportet e zbatimit duhet të përmbajnë informacion të detajuar mbi shpenzimet e bëra dhe produktet e arritura. Të gjitha për zbatimin e skemës duhet të ruhen deri në dhjetë vjet, pasi ndihma e fundit individuale të jetë dhënë në kuadër të kësaj skeme.
Kostot që do të mbulojë ndihma shtetërore, do të jenë, si: kostot e investimit në asete të prekshme dhe të paprekshme, kostot e parashikuara të pagave, në lidhje me punësimin e krijuar drejtpërsëdrejti nga projekti i investimit, të përllogaritura gjatë një periudhe dyvjeçare, vendet e punës të jenë të krijuara në mënyrë të drejtpërdrejtë nga projekti i investimit, investimi do të konsiderohet si kosto e pranueshme, pra në asete të prekshme dhe/ose të paprekshme për ngritjen e një ndërmarrjeje të re apo zgjerimin e një ndërmarrjeje ekzistuese, për të diversifikuar prodhimin e një ndërmarrjeje me produkte të reja shtesë ose një ndryshim rrënjësor në procesin e përgjithshëm të prodhimit të një ndërmarrjeje ekzistuese.
Vlera totale e fondit, për 2 vitet e mëparshme ishte 36 mln lekë. Vlera e fondit për secilin vit ishte 12 mln lekë, ku çdo përfitues mbështetej me grant të drejtpërdrejtë në shumën 500,000 lekë. Intensiteti i ndihmës do të jetë 80% të kostove të pranueshme./Monitor