Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka reaguar në lidhje me takimin që kryeministri Edi Rama zhvilloi në Gjirokastër, ndërsa thekson se ky i fundit shkon si ‘vrasës’ në vendin e ‘krimit’.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Shehu thekson se Rama po mbyll universitetin, që ka bërë histori dhjetra vjeçare, qendër intelektualizmi për të gjithë Jugun e vendit duke shtuar se mbyll shkollat për t’i privatizuar si magazina, siç po ndodh në Lazaratin e poshtëm.
“Rama në Gjirokastër, si “vrasësi” në vendin e “krimit”!
Pikërisht, sepse Rama po e vret Gjirokastrën dhe atë Qark me histori, kulturë, kontribute e vlera mijëra vjeçare, ata njerëz me “fytyrë nga perëndimi”! Pikërisht për këto arsye ai po e asgjeson. Po mbyll atë universitet, që ka bërë histori në dhjetra vjeçare, qendër intelektualizmi për të gjithë Jugun e vendit. Mbyll shkollat për t’i privatizuar si magazina, siç po ndodh në Lazaratin e poshtëm.
Mbasi mbylli spitalet e Përmetit e Tepelenës po asgjëson edhe atë të Gjirokastrës.
Në pak vite përgjysmoi numrin e krereve të bagëtive në qark dhe prodhimeve të tyre.
Flet sot aty për rritje çmimi të energjisë elektrike, kur ka lënë mbi gjysmën e Qarkut pothuajse pa energji.
Dëgjoj që flet për turizmin….komedi kjo.
Kur të gjitha ujërat e zeza të Qarkut derdhen në Drin e Vjosë…zona të mbrojtura “turistike” këto sipas deputetes së tij aty.
Kur me lejen e saj pikërisht në buzë të Vjosës krijohet në Këlcyrë i vetmi vend grumbullimi mbeturinash, që kështu përfundojnë në atë lum të “mbrojtur”!
Dhe pikërisht kjo deputete, ministre e turizmit e ambjentit, firmos në mënyrë të kundraligjshme shkatërrimin e një pylli shekullor 80 ha midis Gjirokastrës e Tepelenës, nga të paktet të mbetura.
Në fakt ai ka shkuar si “ilegal” në Përmet, Gjirokastër, etj, takon vetëm të punësuarit e tij, diku mbyllur mbas banakeve.
Ndërsa ata rrijnë në heshtje e kokëvarur para tij, se u vjen turp për katandisjen e atij Qarku.
Dhe rezultati i “krimit”, përgjysmimi i popullësisë në pak vite, agonia e Qarkut
Prandaj Rama nuk ka guxim të flasë për këto e as të takojë banorët e atij Qarku, që e tregojnë me gisht”, shkruan Shehu.