Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka shprehur mbështetjen e SHBA-së për aspiratat euroatlantike të Kosovës.
Ai e ka quajtur Kosovën një aleate shumë të mirë të SHBA-së dhe mike të mirë.
“Qëllimi i vizitës është për të shikuar mënyrën e bashkëpunimit me një aleate shumë të mirë dhe mike të mirë. Është miqësi e partneritet i bazuar jo vetëm në interes të përbashkët, por edhe në ndarjen e vlerave të njëjta. Kam dëshirë të shprehi mbështetjen e vazhdueshme amerikane për aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe solidaritetin për Kosovën në këtë kohë krize”, ka thënë Escobar, që ka shtuar se SHBA-ja mbështet dialogun Kosovë – Serbi të ndihmuar nga BE-ja.
Ai ka thënë se është krenar që Kosova ka kontribuuar në agjendën e përbashkët.
Pas takimit me Osmanin, Escobar është nisur drejt ndërtesës së Qeverisë për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimin me emisarin e SHBA-së për dialogun, Gabriel Escobar, ka thënë se në dialog, Kosova gjithmonë ka qenë pala konstruktive.
Ajo ka thënë se vendi gjithashtu është i gatshëm që të rrisë edhe më shumë angazhimin në mënyrë që të intensifikohet procesi i dialogut.
Osmani ka thënë se Serbia po refuzon që t’i respektojë marrëveshjet e nënshkruara, sidomos atë për shpërbërjen e grupeve kriminale në pjesën e veriut.
Sipas saj, Serbia po vazhdon që t’i mbështesë këto struktura edhe financiarisht, por edhe politikisht.
“Potencova mundësinë e dialogut sa më parë të dy vendeve tona. Në këtë kohë të vështirë për botën, Kosova është e përkushtuar të bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur alet art tanë në mbrojtje të paqes dhe demokracisë. Kjo është dëshmuar edhe në sanksionet ndaj Rusisë. Sot diskutuam edhe nevojën për të ecur përpara në procesin dialogut. Kosova gjithmonë ka qenë pala konstruktive në këtë proces. Po ashtu është e gatshme ta rrisë edhe më shumë angazhimin në mënyrë që të intensifikohet procesi i dialogut”, ka thënë ajo.
Për vizitën e Escobarit, ajo ka thënë se është rikonfirmuar mbështetja amerikane për Kosovën.
Sipas saj, historia dëshmon se angazhimi i SHBA-së në Kosovë dhe rajon është ekzistencial.
Ajo ka thënë se sa më shumë angazhim të ketë nga SHBA-ja, aq më të mira janë rezultatet sa i përket paqes dhe stabilitetit.