Meghan Markle ka thyer heshtjen e saj për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II. “Ndihem me fat që e kam njohur”,- tha ajo për ‘Variety’ në një intervistë të botuar të mërkurën.
“Jam vërtet mirënjohëse që kam qenë në gjendje të jem me bashkëshortin tim Princ Harry, për ta mbështetur atë, veçanërisht gjatë asaj kohe. Ajo që është kaq e bukur është të shikosh trashëgiminë që gjyshja e tij mundi të linte në kaq shumë fronte”.
Ish-aktorja e quajti Elizabeth “shembulli më i ndritshëm i lidershipit femëror”, duke shtuar se: “Ndjej mirënjohje të thellë që kam qenë në gjendje të kaloj kohë me të dhe ta njoh”.
Ajo vuri në dukje se ndërsa “ka qenë një kohë e ndërlikuar”, Harry ka mbetur “gjithnjë optimist” dhe thotë: “Tani ajo është ribashkuar me burrin e saj, Princ Philip”.
Harry nxitoi pranë gjyshes së tij në mëngjesin e 8 shtatorit pasi dëgjoi lajmin se shëndeti i saj po rëndohej, por ai mbërriti disa orë pasi mbreteresha vdiq atë pasdite.
Meghan Markle nuk u bashkua me të në atë kohë, pasi mbreti Charles II tha se prania e saj nuk do të ishte “e drejtë apo e përshtatshme”. Në vend të kësaj, ajo qëndroi në Londër.
Meghan dhe Harry nderuan gjyshen e tij të ndjerë dy ditë më vonë duke u bashkuar me Princin William dhe Kate Middleton për të përshëndetur fansat dhe për të sjellë lule në një memorial jashtë kështjellës Windsor në Angli. ‘Page Six’ raportoi se William, ia bëri ftesën vëllait dhe kunatës së tij, pavarësisht grindjes së tyre familjare.