Kryebashkiaku Erion Veliaj nga mbledhja me Këshillin Bashkiak tha se është rihapur programi i kredisë së butë.
Veliaj tha se 459 familje dhe çifte të reja në Tiranë do të kenë mundësi që të marrin një shtëpi.
Sakaq shtoi se Bashkia i jep prioritet shtresave në nevojë dhe se nuk do të lihet pas dore as investimet në infrastrukturë.
“Nga thirrja e këtij viti janë deklaruar të rregullta 727 aplikime. Jemi në një stinë lufte, inflacioni dhe krize. Siç qeveria po ndihmon shtresat në nevojë, pensionistët, ndihmën ekonomike, pagesën e aftësisë së kufizuar, detyra jonë është, sidomos me familjet e reja, me studentët apo me abonentët e UKT, të bëjmë tonën, për aq sa të zgjasë kjo krizë. Edhe gjatë pandemisë dhe pas tërmetit prioritet mori ndihma ndaj atyre që kanë një nevojë në situatë krize. Por, nuk do t’i lemë pas dore edhe investimet, me shtrimin e rrugëve, mbjelljet etj. Thjesht u kemi dhënë prioritet shtresave në nevojë. Për këto 459 familje të reja i kemi gati që sot, që të deklarohen fitues, ndërkohë që 268 të tjerë ne do t’i kemi në një listë pritje”, tha ai.