I dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor Escobar viziton Beogradin

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shkon për vizitë në Beograd më 20 tetor, pasi ka qëndruar një ditë më parë në Prishtinë.

Sipas planit, ai do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq dhe Petar Petkoviq, drejtorin e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

Më 19 tetor, në Prishtinë, Escobar përsëriti se SHBA-të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike.

“Jam krenar të them se Kosova ka kontribuar shumë në agjendën tonë të përbashkët”, tha Escobar pas takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në konferencën për media, Osmani akuzoi Serbinë se nuk i zbaton marrëveshjet e arritura deri më tani, se po vazhdon të “frikësojë serbët në Kosovë” dhe të financojë strukturat “paralele”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me Escobar, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se është i gatshëm të arrijë marrëveshje me Serbinë, me njohje reciproke.

Vizita e Escobarit në Kosovë dhe Serbi vjen në kohën kur në opinion po flitet për propozimin “francezo-gjerman” për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kurti më herët ka konfirmuar se ka një “iniciativë franko-gjermane” për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por se nuk ka asgjë përfundimtare.

Nga ana tjetër, Vuçiq ka deklaruar më 8 tetor se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia t’i lejojë Kosovës t’i bashkohet institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara (OKB) në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian (OKB).

Ai gjithashtu tha në atë kohë se kjo ishte e papranueshme për Serbinë. Afati i ri për riregjistrimin e veturave me targa të lëshuara nga autoritetet serbe për qytetet e Kosovës skadon më 31 tetor.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *