Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha në kuadër të 30-vjetorit të krijimit të këtij institucioni u shpreh se gjykata ka qenë një promotore e shtetit të së drejtës.
Gjatë fjalës së saj, Tusha tha se jo rrallë herë tensionet politike e shoqërore janë zhvendosur në Gjykatën Kushtetuese, ku retorika politika ka tentuar që të ndërhyjë në pavarësinë e saj dhe ka paragjykuar vendimet e saj. Më tej ajo ka theksuar se Gjykata Kushtetuese ka zbutuar përplasjet institucionale.
“Jam e privilegjuar që kam mundësinë të çel punimet e kësaj konference që kremton një ditë të rëndësishme të historisë sonë. 30 vjet janë një moshë e rëndësishme kësaj Gjykate e cila u krijua sipas modelit kenzenian. Edhe pse lindi dhe u rrit në një mjedis të polarizuar politikisht me konflikte e tensione sociale GJK u kthye në mekanizmin më efektiv për garantimin e shtetit të ri demokratik. Ajo ka qenë jo vetëm promotore e shtetit të se drejtës, por edhe mbajtëse e vlerës së kushtetutshmërisë. Në saj të përpjekjeve të të gjitha anëtarëve ndër vite. Kjo gjykatë ka mundur që të krijojë fizionominë e saj dhe të radhitet krahas gjykatave të tjera të vendeve që kontribuojnë në përpjekje të përbashkët për integrimin e vendit në BE. GJK ka krijuar një jurisprudencë sa të ekuilibruar aq edhe të pasur.
Sot është dita të shpreh konsideratën për të gjithë gjyqtarët e GJK ndër vite veçanërisht për ato që hodhën themelet për jurisprudencës së GJK.
Tensionet politike e shoqërore janë zhvendosur shumë herë në GJK. Jo rrallë herë retorika publike ka tentuar që të përfshijë GJK dhe për të ndërhyrë në pavarësinë e saj. Duke transformuar debatin politik në GJK, gjykata ka kontribuar në zbutjen e tensioneve. Jo pak herë retorika politike ka përfshirë Gjykatën, nën petkun e diskurseve, për të paragjykuar vendimmarrjen apo për të ndërhyrë në vendimet e saj. Kemi kontribuar në zbutjen e përplasjeve institucionale. Ka pasur dhe përplasje mes dy juridiksioneve, gjyqësor dhe juridik. Vendimmarrja e kësaj Gjykate i ka shërbyer korrektimit efektiv të marrjes së vendimeve dhe të ndarjes së pushteteve”, u shpreh Tusha.