Eleminimi i Arta Nitajt nga spektakli i kërcimit “Dance Albania”, nuk u prit aspak mirë nga modelja dhe këtë gjë ajo e shprehu menjëherë gjatë emisionit. Por me sa duket edhe mikesha e saj, këngëtarja e njohur Dafina Zeqiri, ka diçka për të thënë për eleminimin e modeles nga “Dance Albania.”
Në një postim në llogarinë e saj në “Instagram”, Dafina ka ndarë një foto të Arta Nitajt në skenë, krahas së cilës shkruan se “juria më e mirë është publiku”, duke thumbuar kështu hapur jurinë e përzgjedhur për spektaklin e kërcimit, që eleminoi Artën.
“E ke mbytur atë pistë kërcimi dhe audienca është juria më e mirë e gjithçkaje! Ata nuk mund të gënjehen”- shkruan Dafina.
Ndërkohë Arta është përgjigjur duke shkruar: “Të dua ikonë, surpriza jote ishte gjëja më e mirë që më ndodhi në atë eksperiencë. U largova shumë e lumtur, shfaqja do të jetë e mbushur me njerëz”.
Që në nisje të puntatës së fundit të “Dance Albania”, Arta Nitaj shprehu hatërmbetje ndaj jurisë për kupën e mbrëmjes paraardhëse, të cilën mendonte se e meritonte.
“Mendoj se ne e merituam kupën, jo që kisha ditëlindjen, por po lemë shpirtin në prova, që nuk festova as ditëlindje, që nuk dola as për një gotë në 4 javë, që vijmë çdo herë në prova, që nuk vonohemi kurrë, që punojmë shumë, që e bëjmë me motiv. Unë mendoj që definitivisht ne ishim çifti që merituam kupën. U mërzita”- tha Arta Nitaj.
Modelja u vu përballë Meridian Ramçajt, në fund të emisionit, dhe juria e përbërë nga Ilir Shaqiri, Klaudia Pepa, dhe Ermal Mamaqi, vendosi që të skualifikojë Artën.