Inflacioni po vijon të rrisë të ardhurat në arkën e shtetit. Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se në 9-mujorin janar-shtator, në buxhet u futën 425.7 miliardë leke, 58 miliardë apo 490 milionë euro më tepër se në po të njëjtin hark kohor të një viti më parë. Në këtë ecuri ndikim kanë dhënë kryesisht arkëtimet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar në import, akciza te pijet alkoolike dhe duhani, renta minerare, taksat doganore, të ardhurat tatimore e tatimi mbi të ardhurat personale. Krahasuar me një vit më parë, rritje të lehtë kanë pësuar edhe shpenzimet. Sipas të dhënave nga “Financat”, në harkun e muajve janar-shtator dolën nga buxheti i shtetit 410.7 miliardë lekë, 6.9 miliardë më shumë se një vit më parë.
Të ardhurat e kënaqshëm dhe shpenzimet të përqendruara vetëm te nevojat më emergjente bënë që niveli i suficitit, pra tepricës në 9 muaj të arrinte në gati 22 miliardë lekë.
Banka Botërore ka kërkuar ndërkohë nga Qeveria e Shqipërisë që një pjesë nga të ardhurat e grumbulluara ta ndajë me qytetarët duke mbështetur shtresat më vulnerabël./a2cnn