Në prag të ndeshjes miqësore me Arabinë Saudite, trajneri Edy Reja ka folur në konferencën për shtyp. Tekniku Italian i josh futbollistët që do të bien në qendër të vëmendjes me një ftesë kundër Italisë. Gjithashtu Reja ka shprehur dëshirën për rinovimin e kontratës.
“I kam ndjekur prej disa vitesh lojtarët e Superiores. Kjo ndeshje do të më shërbejë t’i shikoj nga afër edhe pse do të doja që të punoja më shumë me ta. Shpresoj që ndonjëri prej tyre të jetë pjesë e Kombëtarës në të ardhmen.
Tre vite më parë e kam pasur në projekt bashkë me presidentin për të përfshirë sa më shumë lojtarë nga Shqipëria. Marr si shembull Hoxhallarin, Seferin apo Trashin. Flitet shumë për rë ardhmen, por pjesa e moshës është thjesht faktor psikologjik.
Kam shumë besim të kjo skuadër dhe objektivi im fillestar ishin eleminatoret e Euro 2024. Sigurisht që kemi zhgënjyer në Ligën e Kombeve dhe nuk dua të kërkoj alibi. Unë dua ta çoj deri në fund këtë mision për në finalet e Euro 2024.
Dua të qëndroj sepse kam energjinë e duhur, por do të flas me Dukën menjëherë pas përfundimit të kontratës. Dëshira ime është e madhe për të vazhduar. Ia kam thënë presidentit që me këtë skuadër mund të shkojmë në europian.
Ne ishim shumë pranë play-off të botërorit por situata u komplikua në ndeshjen me Poloninë ku në një rast Uzuni madje gaboi një gol pothuajse të sigurt në fillim dhe ndeshja mund të kishte shkuar ndryshe.
Ne mund ta luajmë kualifikimin me Çekinë, por në eleminatore lojtarët duhet të jenë në formë të mirë. Nuk ka ndeshje të lehta në eleminatore por unë jam i bindur që do të bëjmë mirë. Nuk është thjesht çështje dëshire, por ne duhet t’i luajmë shanset tona deri në fund.
Do të ishte pozitive të grumbulloja ndonjë lojtar të kësaj miqësoreje në ndeshjen me Italinë por fillimisht duhet t’i vlerësoj. Kemi bërë shumë ndryshime dhe kemi marrë vendime por është shumë e vështirë që të ndryshojë grupi aktual me 23 lojtarë që unë kam. Nuk i nënvlerësoj ata që luajnë në Shqipëri, por kanë pak eksperiencë.
Nuk mund të fal më këto rënie tensioni në minutat e fundit. Nuk mund të hedhim poshtë punën e bërë dhe këto gabime nuk i fal më. Nëse vazhdon të gabosh në fund, atëherë je gjysmë-lojtar sepse ndeshjet nuk luhen 90 minuta por 100 minuta.
Në këtë këndvështrim duhet të jemi më të vëmendshëm. Mentaliteti është i gabuar sepse ka ndodhur në 5, 6, 7 ndeshje. Tani nuk mund të gabojmë më as një presje në fundin e ndeshjeve. Unë fola me lojtarët edhe ndeshjen e fundit dhe isha shumë i nxehur.
Nuk pranoj më solistë në ekip, të gjithë duhet të luajnë për skuadrën në të kundërt nuk kanë më vend në skuadër. Lojtarët që nuk do të kenë përqëndrimin e duhur, nuk mund të jenë pjesë e grupit”, tha Reja.