Së fundmi, këngëtari i njohur Capital T, ka qenë i ftuar në emisionin “Barber Shok” ku ka folur për jetën e tij personale por edhe atë profesionale. Ai ka treguar një moment mjaft të vështirë në jetën e tij, pikërisht momentin kur babai i tij u sëmur me kancer.
“Ne kemi pasur një periudhë shumë të keqe si familje kur babi u sëmur me kancer menjëherë pas luftës. Ishte në rrezik për jetën. Duhej të trajtohej në Evropë. Kemi shkuar në Francë dhe në atë kohë nuk i kemi pasur shumë kushtet. Shumë njerëz, madje edhe shoqëri, na kanë ndihmuar për trajtimin dhe kur jemi rikthyer, ia kemi nisur prej zeros”, tha ai.
Gjithashtu, reperi u ndal edhe tek fëmijëria e tij por foli edhe për planet e tij për martesë.
“Ka pasur periudha gjatë fëmijërisë që kam qenë shumë problematik, por kam pasur edhe momente që kam qenë shumë i urtë. Unë jam rritur me shumë njerëz të afërt. Madje, familja kurrë nuk më ka përkëdhelur edhe pse njerëzit mendojnë se ne i kemi pasur kushtet”.
“Unë mendoj që për martesë, kurrë nuk është herët e kurrë nuk është vonë. Edhe nëse do isha martuar 20 apo 22 vjeç, prapë nuk do ishte herët. Unë jam njeri shumë familjar, e dua familjen dhe shpresoj që në një të ardhme të afërt të krijoj familje. Dua të jem një model i mirë për të gjithë njerëzit, madje edhe në këtë aspekt”.