Xhaçka: Shqipëria do të kontribuojë për OKB më të fortë

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u shpreh sot se “Shqipëria është e përkushtuar ndaj vlerave të multilateralizmit dhe rendit botëror të bazuar në rregulla dhe do të punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të kontribuar për një OKB më të fortë dhe më efektive”.
Ministrja Xhaçka dhe Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney, ndanë videomesazhe me rastin e ditës së Kombeve të Bashkuara.
Xhaçka tha se “më shumë se kurrë sot botës i kujtohet rëndësia e kësaj organizate unike dhe kontributi i saj i jashtëzakonshëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë”.

“Kjo është një ditë vërtet e rëndësishme për çdo qytetar të çdo vendi të globit. Dhe unë dua t’i uroj shumë suksese jo vetëm Organizatës së Kombeve të Bashkuara që sot feston këtë përvjetor, por edhe çdo burri, çdo gruaje e çdo fëmije kudo në botë sepse e vërteta është që kjo organizatë ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në ndërtimin e botës ku ne jetojmë sot”, tha ajo.

Sipas Xhaçkës, Shqipëria është një vend që beson tek roli i jashtëzakonshëm i OKB dhe që është e përkushtuar ndaj ruajtjes dhe forcimit të sistemit ndërkombëtar të bazuar tek rregullat.

“E kemi treguar këtë duke ju bashkuar e duke punuar seriozisht për nismat, objektivat e agjendat e OKB, por edhe duke mbështetur, jo vetëm politikisht, përpjekjet paqeruajtëse të OKB-së, duke ndihmuar me trupa, vëzhgues ushtarakë dhe policorë, si edhe fonde në buxhetin e posaçëm të operacioneve paqeruajtëse”, shtoi ministrja.

Xhaçka tha se “ne jemi krenarë, që sot, vendi ynë mund të luajë një rol akoma më të madh në këtë drejtim gjatë mandatit të tij dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit”.

“Dhe jemi krenarë, që po e luajmë këtë rol në një moment kur ky rend ndërkombëtar që ka garantuar paqen e sigurinë është nën kërcënimin më serioz që ai ka njohur që prej krijimit të OKB si pasojë e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës. Shqipëria ka marrë një rol të dorës së parë në përpjekjet e mbështetura nga shumica dërrmuese e vendeve të globit për t’i dhënë fund këtij agresioni e për të izoluar agresorin, jo thjesht sepse ne besojmë që kjo është gjëja e duhur për të bërë dhe që Ukraina meriton të gjithë mbështetjen tonë”, vijoi ministrja.

Ajo theksoi se “edhe pse besojmë, që përmes kësaj mbështetje ne jemi duke kontribuar krah aleatëve e partnerëve dhe pjesës dërrmuese të vendeve anëtare, për të ruajtur e konsoliduar rendin ndërkombëtar dhe rolin primar që OKB ka në garantimin e paqes, sigurisë e stabilitetit”, tha ajo”.

Xhaçka u shpreh se ky përvjetor këtë vit merr një rëndësi akoma më të madhe, sepse sot më shumë se kurrë kombet duhet t’i qëndrojnë fort mbrojtjes të parimeve dhe vlerave Kombeve të Bashkuara dhe të multilateralizmit, sepse kështu do të mund sigurojmë të ardhmen dhe prosperitetin e brezave që do të vijnë.

Ndërsa Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney u shpreh se “si sot 70 vjet më parë, më 24 tetor 1945, hyri zyrtarisht në fuqi Karta e Kombeve të Bashkuara, dokumenti themelues i OKB-së”.

“Ky dokument shërben ende si një busull për të gjithë globin. Vlerat dhe aspiratat origjinale të Kartës janë rishikuar për të ardhmen në “Axhendën tonë të përbashkët” që u lançua nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së vitin e kaluar. 19 agjenci të OKB-së, familja e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, punojnë në partneritet me Qeverinë, në një kuadër të përbashkët bashkëpunimi, për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, tha ajo.

“Sot, ne fillojmë Javën e Kombeve të Bashkuara, ku do të shfaqet puna e bërë për migrimin, shëndetin dhe mirëqenien, ushqimin dhe bujqësinë, mjedisin, arsimin dhe punësimin, mbrojtjen sociale, barazinë gjinore dhe kulturën”, vijoi McCluney.

Ajo tha se në të gjithë vendin, në kuadër të Javëve Ndërkombëtare të Kulturës, ne do të kremtojmë vlerat dhe veprimet e Kombeve të Bashkuara për zhvillimin e qëndrueshëm.

“Mos e humbisni ekspozitën në natyrë ekspresive “Ne, njerëzit” – një vepër unike e një artisti të ri që ndërmori një iniciativë personale për të kapur 999 portrete të njerëzve të thjeshtë nga e gjithë Shqipëria. Njerëz të të gjitha moshave, të të gjitha origjinave dhe besimeve fetare, njerëz të të gjitha gjinive dhe orientimeve seksuale. Ejani sot të shikoni instalacionin në sheshin Skënderbej dhe për pjesën tjetër të javës tek Sheshi Italia. Ekspozita do të shfaqet së bashku me programin tonë të aktiviteteve në Pukë më 26 tetor, Përmet më 27 dhe Durrës më 28 Tetor. Bashkohuni me ne në angazhimin tonë për një botë të qëndrueshme dhe paqësore”, shtoi ajo.

TAGGED:
Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *