Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë Christiane Hohmann mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të 7 të Shkollës së Integrimit Europian. Të pranishëm në ceremoni ishin dhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe deputetja demokrate, Jorida Tabaku.
Gjatë fjalës së saj në ceremoni, ambasadorja tha se Shqipëria duhet të dyfishojë përpjekjet për t’u integruar në BE tani që negociatat janë hapur. Më tej ajo u shpreh se procesi i anëtarësimit në BE më shumë se sa procesi teknik, është një proces që duhet të përfshihet e gjithë shoqëria.
“Jo vetëm që kemi filluar negociatat por, përpara 10 ditësh pata mundësinë të prezantoja raportimin e KE për Shqipërinë. Me negociatat ne kemi filluar atë që njihet si procesi i analizës legjislative. Kjo është edhe faza e parë prandaj dhe ju do shihni këto faza të procesit. Proces i anëtarësimit në BE është shumë më shumë se sa procesi teknik, është një proces që duhet të përfshihet e gjithë shoqëria. Të gjithë duhet ta kuptojnë se çfarë po ndodh. Duhet parë se çfarë duhet bërë më tepër me reformat dhe prandaj raporti vjetor për Shqipërinë është i rëndësishëm. Të gjithë mund të shikojnë se çfarë ka ndodhur”, tha Hohmann.
Ambasadorja Hohmann përmendi edhe lirinë e fjalës, si një aspekt për të cilin tha se është bërë shumë pak përparim dhe që duhet të përmirësohet. Ajo shtoi se pritet një mbrojtje më e mirë e gazetarëve si dhe fuqizimi i transmetuesit publik.
“Ka dhe fusha ku ka patur pak ecuri ose aspak, që është liria e fjalës. Pritet mbrojtje më e mirë e gazetarëve, të fuqizohet pavarësia e transmetuesit publik, si dhe qëndrueshmëria financiare në sektor. Nuk ka hapësirë këtu për interpretim pasi hapësirat janë bërë të qarta. Por, në këtë fazë që ne jemi BE pret që Shqipëria të ridyfishojë përpjekjet e veta për të trajtuar këto reforma kyçe por, edhe që të sjellë në tryezë të gjithë aktorët e rëndësishëm, edhe nga shoqëria civile. Nga ky këndvështrim, Shkolla e Integrimit Evropian është për të rritur ndërgjegjësimin”, deklaroi ambasadorja e BE.