Angel Di Maria është “pit stop” këto ditë për shkak të një dëmtimi muskulor në kofshën e djathtë, që do ta mbajë jashtë fushave deri në ndeshjen e Champions League me PSG më 2 nëntor.
Rasti i argjentinasit po i bën njerëzit të flasin për situatën e lojtarëve para Botërorit të Katarit. Në një postim qartësisht reklamues të publikuar në Instagram, Di Maria, që prej datës 11 tetor, shfaqet i veshur me uniformën e Argjentinës, me të cilën do të luajë Botërorin e Katarit.
Kaq mjaftoi për t’i çliruar tifozët: nga njëra anë bashkatdhetarët e tij, që e lavdëronin në kuadër të Kampionatit Botëror. Nga ana tjetër bardhezinjtë, gjithnjë e më të acaruar dhe intolerantë ndaj “mosveprimit” të tij me fanellën e Juventusit.
Nga komentet e llojit “mendoni të luani, se po dukeni si kllounë që mendojnë vetëm për paratë!!!” tek “erdhët të bëni pushimet në Torino me 7 milionë në sezon, për të luajtur 2 ndeshje të plota në 3 muaj…”, janë sinjale të qarta se po rritet pakënaqësia për kontributin që argjentinasi ka dhënë deri më tani.
“Fideo” në fakt ka luajtur deri më tani 7 ndeshje, katër prej të cilave në Serie A dhe tri në Champions League, duke shënuar një gol dhe dhënë katër asiste. Paralelisht, ai ka pësuar tri dëmtime, çka e ka lënë jashtë 8 ndeshjeve nga 15 në total deri më sot, me një rikthim ende për t’u vendosur.