Disa ditë më parë studentët e Universitetit të Tiranës i drejtuan Ministres së Arsimit Evis Kushi, një letër nëpërmjet të cilës i kërkonin ulje të tarifave të këtij viti akademik. Argumentimi tyre mungesa e prezencës së tyre në auditor dhe se gjithashtu kanë qenë të detyruar të paguajnë çdo muaj abonimin e internetit.
Por sot ata kanë marrë një përgjigje nga rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, i cili ka njoftuar se nuk do të ketë ulje tarifash për studentët, pasi, sipas tij, ata “duhet ta shohin universitetin si një të mirë të përbashkët, jo si një institucion që duhet të ulë tarifat”.
“Kemi pasur pyetje nga studentët shqetësimin për tarifat. Ne i kemi analizuar shpenzimet tona dhe na referon që kemi një ulje me 1.5% afërsisht, gjë e cila është mjaft minimale. Kemi paguar rregullisht çdo tarifë për ujin, dritat dhe shërbimet në Universitete.
Mos harroni që kjo tarifë është vetëm 200-300 mijë lekë të vjetra dhe një pjesë e studentëve ekselentë ka tarifë të përgjysmuar, po ashtu dhe kategoritë në nevojë. Studenti duhet ta shoh Universitetin si një të mirë të përbashkët, jo si një institucion që duhet të ulë tarifat. 70% të studentët ne e kemi nga rrethet dhe për këta ka pasur më pak shpenzime pasi kanë ndjekur mësimin online.
Tarifat e masterit po ashtu janë rreth 600 mijë deri në 1 milion apo 1.2 milionë lekë, janë tarifa të përballueshme”, u shpreh Hoxha.