Kreu i PD, Sali Berisha ka akuzuar ambasadoren amerikane Yuri Kim se po ndihmon kryeministrin Edi Rama që të marrë logon e PD-së. Sipas tij, shumica e deputetëve të PD-së janë me PD-në, kurse një pjesë janë masha të qeverisë.
Sipas tij, opozita tani është bërë tërësisht e besueshme dhe se të gjitha sondazhet janë në favorin e saj. Berisha nënvizon se opozita nuk është më një freskore e regjimit, por janë forca politike që qëndrojnë ballë për ballë, të vendosura për ta mposhtur regjimin.
Nuk duket se kanë ndryshuar shumë gjëra nga koha kur këtu ishte, Lulzim Basha. Por përtej pamjes së jashtme, çfarë ndodh ndryshe në këtë zyrë që kur e drejtoni ju?
Sali Berisha: Ka një permbysje të vërtetë në mënyrën sesi drejtohet opozita. Sot Shqipëria ka një opozitë të vërtetë dhe këtë e pranojnë universalisht. E ndien këtë Edi Rama, më shumë se kushdo tjetër, që del para mediave në mënyrë konstante. Edhe kur feston, e bën me zë të dridhur nga opozita.
Ai del në mënyrë konstante se ka nisur një tur, por ..
Sali Berisha: Ai ka nisur turin e partisë shtet. Ai është turi i fundit i tij, i turpshëm, sepse po mbledh rrogëtarët, shkollat dhe qartë po garon si parti shtet.
Ju thatë që jeni opozitë e vërtetë …
Sali Berisha: Nëse u referohemi sondazheve, sondazheve dixhitale, ka një prevalencë të plotë të opozitës mbi Ramën. Në sondazhe të tjera, rënia e tij është e lirë dhe, po kështu, e lirë, është e rënia e qeverisë së tij.
Por nuk ka as rritje për opozitën.
Sali Berisha: Po të mos qe opozita e vërtetë, ata sot do të ishin siç kanë qenë, lart e më lart. Por opozita tani është një opozitë e besueshme nga qytetarët. I besohet plotësisht fjala. Opozita bën denoncime të bazuara mbi të vërteta dhe, sipas rastit, jep alternativa. Pra, nuk është më një freskore e regjimit, por janë forca politike që qendrojnë ballë për ballë, të vendosura për ta mposhtur regjimin.
Si e shpjegoni që pjesa më e madhe e deputetëve të PD nuk i’u është bashkuar akoma?
Sali Berisha: Nuk është e vërtetë që janë shumica. Është e vërtetë që janë një pjesë që mbajnë qendrime të tjera.
Sa deputetë ju mbështesin ju? Pra, nga 59 të PD, pa 7 aleatë, mua më duket se nuk jeni shumica.
Sali Berisha: Unë mendoj se shumica janë me PD. Janë disa rrethana të caktuara, por shumica janë me PD.
Me ju është pyetja sa janë.
Sali Berisha: Po, me mua pra, me PD që unë drejtoj. PD tjetër nuk ka.
Ju pengon në objektivat që keni padia gjyqësore me palën tjetër? Mungesa e vulës zyrtare, logos, etj?
Sali Berisha: Nuk ka palë tjetër këtu. Ka qeveri dhe është dhe guvernatorja, Yuri Kim.
Dhe grupimi tjetër i PD.
Sali Beridha: Jo, ata janë një mashë e tyre. Këtu është qeveria që, me çdo kusht, do që t’i rrëmbejë logon PD-së, pra Edi Rama, ndihmuar në mënyrën më absurde dhe më të papranueshme nga ambasadorja, Yuri Kim.
Si ka mundësi që i quani ata mashë të Edi Ramës, ndërkohë që jeni në dialog me këtë grupim të deputetëve?
Sali Berisha: Pa diskutim, ata janë anëtarë të PD, por ata që vazhdojnë të bëjnë ata lojë, ata bëhen mashë e Edi Ramës. Me zgjedhjet e 6 marsit u faktua ku është PD. Me të gjitha sondazhet u faktua se cila është mbështetja e tyre dhe se ku qendron. Sot, Sali Berisha me sondazhet dixhitale qëndron para Edi Ramës. Sot, PD e përfaqësuar nga unë, tejkalon qeverinë.
Pra, nuk ju duhet ky grupimi tjetër që ju e quani mashë…
Sali Berisha: Statuti ka përcaktimet e veta. Ata janë anëtarë të PD. Në rast se dëshirojnë të bashkohen në këtë fushatë, ata kanë vendin e tyre të pamohueshëm, në rast se dëshirojnë të krijojnë fraksion, ata kanë vendin e tyre. Statuti nuk është Sali Berisha. Statuti është kushtetuta e PD dhe Sali Berisha është i detyruar të zbatojë çdo nen të tij.
Ju ndaheni, sepse ata nuk e njohin këtë Kuvend, nuk e njohin këtë statut dhe e kanë çuar në gjykatë.
Sali Berisha: Ata nuk e njohin këtë kuvend, sepse këtë kuvend nuk e njeh Edi Rama. Këtë statut nuk e njeh, Edi Rama. Gjykata e njohu këtë statut, vendosi për këtë statut dhe Edi Rama kërkon ta mbajë peng këtë statut dhe këtë logo.
Po thoni që Edi Rama nuk kontrollon njërën gjykatë, por kontrollon tjetrën. Këto janë dy sandrade që përdorini.
Sali Berisha: E vërtëta është që Edi Rama u perpoq shumë të kontrollojë edhe atë gjykatë. Nuk arriti, dështoi dhe në mënyrën më të kundraligjshme, gjykatësja vendosi të shpallë palë atë që më asnjë ligj dhe kushtetutë të botës nuk mund të shpallet palë, pasi zhbëhet çdo vendim gjyqësor nga cilido që vjen nga rruga. Po nga kjo gjykatëse na u tha dy muaj para vendimit se nuk jeni palë dhe ka hedhur poshtë me te drejtë kërkesën tonë dhe ne nuk bëmë asnjë lëvizje. Ndërsa kjo, me ndërhyrjen flagrante të Yuri Kim dhe Erion Veliajt, i shpalli palë këta. Këtë e ka pranuar vetë zonja Yuri Kim, që ka ndërhyrë. Ajo mendon dhe beson se është gjykatësja në këtë vend dhe mirë e ka.
Zoti Berisha a përbën një kusht tërheqja nga padia e tyre gjyqësore, në mënyrë që të bëni një bashkëpunim të sinqertë dhe dialogu të ketë shanse?
Sali Berisha: Jo, nuk kemi vënë ndonjë kusht në këto bisedime. Ne kemi të bëjmë me Edi Ramën këtu.
Po sa e moralshme është që, nga një anë, ju nisni dialog me këtë grupim dhe nga ana tjetër, ju thoni që janë mashë e Edi Ramës?
Sali Berisha: Shumë e drejtë pyetja, por ky është statuti i PD. Ai nuk parashkon përjashtime dhe unë nuk jam Lulzim Basha.
Pra është një kusht që ata të pranojnë statutin tuaj dhe duke pranuar statutin tuaj, t’ju pranojnë dhe ju.
Sali Berisha: Problemi është që statuti nuk përjashton. Me këtë statut që është votuar më 11 dhjetor, secili prej tyre, përfshirë Lulzim Bashën, janë anëtarë të PD dhe janë deputetë të PD. Nuk mund të mbaj 2 qendrime, një qendrim në statut dhe një qendrim personal.
Kanë vlerë këto bisedime apo bëhen thjeshtë për sy të publikut?
Sali Berisha: Pa asnjë diskutim kanë vlerë.
Po si mund të kenë vlerë? Kanë vlerë për të kuptuar se kush po e dështon procesin, jo për t’u bashkuar.
Sali Berisha: Ata kërkuan bisedime dhe ne ofruam plotësisht bisedime, sepse ne po bisedojme edhe me parti të tjera./rtsh