Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka caktuar masë administrative ndaj një gjyqtari në Vlorë, pasi pengonte kancelaren për të ushtruar detyrën.
Mësohet se magjistrati Bevis Shehaj, pengonte punën e kancelares pa shkaqe të justifikuara dhe nuk respektonte ligjin.
Njoftimi i plotë:
Mbi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën “ Vërejtje publike” ndaj gjyqtarit B.SH. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimin disiplinor ndaj magjistratit B.SH., i nisur bazuar në ankesa në vazhdimësi pranë ILD-së nga kancelarja, pasi magjistrati në pozicionin e zvkryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, e pengonte në ushtrimin e detyrave ligjore, duke mos lejuar funksionimin normal të gjykatës. Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, provohet se:
Magjistrati B.SH. ka lejuar moszbatimin, pa shkaqe të justifikuara, të vendimit të dhënë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor lidhur me kancelaren e gjykatës, si dhe në mënyrë të përsëritur, gjatë dy mbledhjeve të Këshillit të Gjykatës, nuk ka respektuar dispozitat ligjore dhe nënligjore, që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e gjykatave
Ndërmarrja e këtyre veprimeve nga magjistratit përbëjnë mospërmbushje të detyrës së zvkryetarit, i cili ka përgjegjësi për mbarëvajtjen dhe funksionimin e gjykatës si institucion, dhe ka krijuar konfuzion mbi ushtrimin e kompetencave të kancelares, e cila është përgjegjës për menaxhimin e administrimit gjyqësor. Shkeljet e konstatuara nuk lidhen me veprimtarinë e tij profesionale të magjistratit. Ato mund të jenë të rëndësishme për vlerësimin etik dhe profesional të tij, por janë të natyrës që magjistrati duhet të mbajë përgjegjësi disiplinore. Moszbatimi pa shkaqe të arsyeshme nga ana e tij si drejtues i një vendimi të dhënë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerësohet si një sjellje joprofesionale, e cila diskrediton pozitën e drejtuesit të një gjykate dhe figurën e gjyqtarit në veçanti. Në përfundim të hetimit, ILD duke mbajtur në konsideratë mes të tjerash, natyrën e shkeljes disiplinore, ekzistencën e rrethanës lehtësuese, e lidhur me shkeljet për herë të parë; bashkëpunimin e magjistratit gjatë hetimit; si dhe ndihmën në mënyrë aktive për të zhdukur ose pakësuar pasojat e shkeljes; arrin në konkluzionin se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e zv.kryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë B.SH., përbëjnë shkelje disiplinore të parashikuar nga nenin 102 pika 1 shkronjat “g” dhe “gj” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; si “Shkelje disiplinore e lehtë”.
Për sa më sipër, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkon KLGJ-së pranimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit B.SH., për shkelje disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 1 shkronjat “g” dhe “gj” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike”.
“Vërejtja publike” përmbush dy qëllime parandaluese: parandalimin e posaçëm, në kuptimin që magjistrati në të ardhmen të mos kryejë më shkelje disiplinore; dhe parandalimin e përgjithshëm, në kuptimin që magjistratët e tjerë, kuptojnë që një sjellje e papërshtatshme nuk duhet kryer, pasi është e ndëshkueshme me masë disiplinore.