Adidas i ka dhënë zyrtarisht fund partneritetit me Kanye West pas komenteve të tij antisemitike.
“Adidas nuk toleron antisemitizmin dhe çdo lloj tjetër të gjuhës së urrejtjes. Komentet dhe veprimet e fundit të Ye-së kanë qenë të papranueshme, të urryera, të rrezikshme dhe ato shkelin vlerat e kompanisë për diversitetin, përfshirjen, respektin reciprok dhe drejtësinë”– tha kompania në një deklaratë këtë të martë.
Adidas njoftoi se partneriteti i saj me reperin ishte ‘nën shqyrtim’ në fillim të muajit tetor pasi West, veshi një bluzë “White Lives Matter” në një sfilatë.
“Pas përpjekjeve të përsëritura për të zgjidhur privatisht situatën, ne kemi marrë vendimin për të shqyrtuar më mirë partneritetin. Ne do të vazhdojmë të bashkë-menaxhojmë produktin aktual gjatë kësaj periudhe”– tha Adidas në atë kohë.
Vendimi i kompanisë vjen pasi shumë të famshëm, përfshirë ish-gruan e West, Kim Kardashian, dënuan reperin për komentet e tij. Ai nuk e pranoi vendimin e kompanisë me dashamirësi, duke iu përgjigjur në Instagram: “F*ck Adidas unë jam Adidas. Adidas vjedh dizjenjot mia”.
Marrëdhëniet e reperit si me Adidas ashtu edhe me pjesën tjetër të botës së modës u përkeqësuan pasi ai u zotua se do t’i bënte “death con 3” popullit hebre. Ai u ndalua menjëherë nga Twitter dhe Instagram pas kësaj deklarate.
Më pas, kritikoi ‘median hebraike’ për heshtjen e tyre në internet pasi ai postoi një pamje të mesazheve të tij me Diddy-n në të cilat reperi shkruante: “Kjo nuk është një lojë. Unë ju përdor si shembull për t’i treguar popullit hebre që ju tha të më telefononi se askush nuk mund të më kërcënojë apo të ndikojë tek unë”.
Pavarësisht se Adidas, Balenciaga dhe Vogue kanë ndërprerë marrëdhëniet e tyre me West, reperi i “Flashing Lights” thotë se për të nuk përbën asnjë problem. “Unë nuk po humbas para. Ditën që u largova nga faqja Balenciaga, ishte një nga ditët më të lira”- i tha ai TMZ.