Inva Mula, sopranoja shqiptare me famë botërore, u nderua nga Presidenti i Italisë Sergio Mattarella me titullin e nderit “Urdhri i Yllit të Italisë” në gradën Oficer. Dekorata iu dorëzua nga ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci me motivacionin: “Një vlerësim i merituar i Inva Mulës për aftësinë e saj për të përhapur muzikën, kulturën, artin dhe historinë italiane nëpërmjet veprave më të famshme të kompozitorëve italianë të interpretuara mrekullisht prej saj në teatrot më të rëndësishëm të botës.”
Së bashku me Mulën të pranishëm në ceremoni ishin edhe bashkëshorti i saj, Hetem Ramadani, dhe vogëlushja e tyre, Nina. Ambasada italiane ka publikuar ditën e sotme në rrjete sociale disa foto nga dorëzimi i Titullit të Nderit. Sopranoja shqiptare edhe pse është nderuar me shumë çmime e vlerësime gjatë karrierës së saj, ky titull e ka prekur shumë për këtë arsye “Më ka prekur sepse kjo tregon që të gjithë ne artistët kemi nevojë për të gjithë këtë kulturë të madhe italiane, për të gjithë kompozitorët që kanë qenë dhe janë shtylla e artit tonë të të kënduarit. Më pëlqeu shumë motivacioni sepse është njohja e kontributit të artit italian që unë kam dhënë në botë”, tregon ajo.
Në vitin 1987 ajo fitoi konkursin “Këngëtarja Shqiptare”, më 1988 konkursin “George Enescu” në Bukuresht. Pas katër vjetësh në 1992 fiton konkursin ”Butterfly” në Barcelona. Më 1993 merr një çmim në Operalia-n e parë të Placido Domingos në Paris. Ka bashkëpunuar me tenorë të famshëm në operën e Bastille-s në Paris, në Bruksel, në Mynih dhe në Oslo. Në vitin 1996 mori pjesë në operën “Medee” të Luigi Cherubini-t në Francë. Në 1998 rikthehet në operën e George Bizet “La Jolie fill de Perth”. Në filmin “Elementi i pestë” më 1997 i jep zërin këngëtares në rol Lucia di Lammermoor në skenën “The Diva Dance”. Më vonë ajo luajti në “Ivan IV” të Bizetit në Paris. Në vitin 2001 ishte e angazhuar në Itali ku luajti në teatrin “La Scala” pjesën e Verdit “Falstaff” dhe Riggoleto-n në Arenën e Veronës. Ka marrë pjesë rregullisht në “La Scara” ku luajti Lucia di Lammermoor, La bohème, Manon (2006). Luajti gjithashtu disa herë dhe La traviata-n në qytete të rëndësishme si Tokio, Bilbao, Orange, Trieste dhe Toronto. Në 2007, ajo luajti Norine-n e parë në L’elisir d’amore në Toulouse të Francës. Jeta e saj është e ndarë më së shumti mes Francës dhe Shqipërisë.