Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ndodhet në Washington DC, ku po merr pjesë në dialogun strategjik midis qeverisë së SHBA-së dhe qeverisë Shqiptare.
Me anë të një njoftimi në rrjete sociale, Xhaçka e cilësoi këtë ditë si një ditë shumë intensive duke zbuluar edhe çështjet për të cilat po diskutohet.
“Ditë shumë intensive gjatë dialogut strategjik SHBA- Shqipëri që rikonfirmon dhe thellon marrëdhëniet tona dypalëshe.
Një sërë diskutimesh mbi: Mbështetje për Ukrainën; Mbrojtja e demokracisë; Thellim i partneritetit tonë për çështjet e sigurisë; Bashkëpunim për sigurinë kibernetike; Forcimi i lidhjeve transatlantike; Përparim në rrugën e Integrimit Evropian për vendet aspirante të Ballkanit Perëndimor; Ndryshimet klimatike; Së bashku më të fortë”, shkruan Xhaçka.