Një deklaratë e fortë e CEO-s së ‘Acromax’ ka bërë që këngëtarët shqiptarë të reagojnë. Aldor Nini tha për programin ‘Ndryshe’ se Ardit Çuni ka blerë klikime për këngën e tij.
“Ne kemi një listë shumë të gjatë artistësh që i menaxhojmë. Të gjithë atyre i ka shkuar në majë të hundës pjesa e blerjes së klikimeve, pjesa më e madhe e do këtë gjë, nuk duan të konkurojnë me artistë të tjerë që i blejnë klikimet. Nuk i kemi vënë në dukje më parë, tani ka ardhur momenti. Personi pasi pa lajmin më tha që ‘çfarë të duhet ty që fut hundet’. Është Ardit Çuni. I thashë Arditit mua mu deshën gati 10 sekonda të gjeja Shqipërinë, aq poshtë ishte. 668 klikime ka vetëm nga Shqipëria, 37 mijë klikime nga India. Alban Ramosaj, kam shumë respekt për të, por kënga ‘A je me najkon’ ka vetëm 13 mijë shikime nga Shqipëria. Kjo mendoj se është viktimë dhe jo që i ka blerë vetë. Ergita Bahja ka kënduar te ‘Kënga Magjike’. Kishte më shumë nga Kazakistani. Një nga artistët që nuk ka aspak nevojë të blejë klikime por ka dalë në sistemin tonë është Ledri Vula, kishte blerë klikime te kënga Monaco”.
Por menjëherë pas kësaj, Arditi ka dhënë një prononcim për ‘TAR’ ku ka zbuluar se si qëndron e vërteta. Ai tha se e gjithë kjo gjë është një idiotësi dhe po bëhet për marketing.
“Do ju lutesha që për arsye profesionale mos t’i jepni zë kësaj gjëje sepse është komplet një idiotësi. Personi në fjalë po mundohet që të bëjë marketing me anë të emisioneve dhe të lajmeve që do të shkaktohen me emrin tim apo të kujtdo tjetër sepse e di shumë mirë që ndryshe nuk ia var njeri dhe përveç kësaj di vetëm që më janë lutur disa herë që të bashkëpunoj me kompaninë e tyre dhe nuk kam pranuar. Kjo është një nga arsyet pse goditem unë apo artistët në fjalë që janë përmendur. Nuk më bën sens”.