Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka njoftuar se protestat e opozitës do të nisim më 12 nëntor.
Me anë të një konference për shtyp, Berisha u shpreh se në këtë datë nis beteja e madhe kundër regjimit të urryer, ndërsa shtoi se pjesë e protestës nuk do të jetë vetëm PD dhe Partia e Lirisë por, edhe parti të tjera opozitare.
“Jam këtu për t’ju informuar opinionin se PD e PL e forca të tjera opozitare nisim më 12 nëntor betejën e madhe kundër regjimit të urryer. Në të katër anët e Shqipërisë po bien sirenat e urrejtjes ndaj monizmit të Edi Ramës. Në të katër anët e Shqipërisë po bien sirenat e alarmit ndaj gjendjes katastrofale të krijuar nga vjedhjet e mëdha dhe të papërmbajtura të fondeve buxhetore, të pasurive publike të qytetarëve shqiptarë. Vjedhjet e buxheteve familjare përmes çmimeve të larta, pabarazisë absolute para ligjit që sundon në Shqipëri, ka pasur dhe ka një interes të jashtëzakonshëm për protestat dhe përballjen me regjimin e partisë- shtet, i cili në historinë kombëtare është regjimi më anti-shqiptar pas regjimit të Enver Hoxhës.
Ka pasur dhe ka një interes të jashtëzakonshëm për protestat dhe përballjet me regjimin e partisë-shtet. Unë kam besimin më të madh se të rinjtë, të rejat e Shqipërisë, që ndodhen në vend dhe ata që janë larguar për shkak të pamundësisë së tyre për të përballuar jetën në Shqipëri, burrat dhe gratë e këtij vendi, do bashkohen në protestën më të madhe që ka njohur Shqipëria më 12 nëntor, për t’i dhënë përgjigjen e merituar, Edi Ramës dhe klikës së tij në pushtet. Edi Rama është një armik i egër i votës së lirë të shqiptarëve. Nëpërmjet bandave kriminale dhe parave të drogës. Ky është një armik i egër i parave të shqiptarëve”, deklaroi Berisha.