Një 24-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi u kap duke shpërndarë lëndë narkotike kanabis në doza të vogla në një zonë të kryeqytetit.
Uniformat blu raportojnë se i riu me iniciale S. S. u arrestua në rrugën “Margarita Tutulani”, ndërsa gjatë kontrollit fizik përveç dozave të kanabisit iu gjet edhe një thikë.
Njoftimi i policisë:
Goditet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Sekuestrohen doza me lëndë narkotike cannabis sativa dhe një mjet prerës, vihet në pranga poseduesi i tyre, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë dhe kontrolleve të ushtruara ndaj personave me rekorde të mëparshme kriminale, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë policore, kanë evidentuar dhe goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në doza.
Në rrugën “Margarita Tutulani”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin S. S., 24 vjeç, banues në Tiranë, të cilit, gjatë kontrollit fizik, i kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe një mjet prerës (thikë).
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 24-vjeçarit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.