Iranianët u dyndën te varri i Mahsa Amini për të shënuar 40 ditë nga vdekja e saj, duke kundërshtuar paralajmërimet e autoriteteve.
Policia e trazirave u vendos në një numër të madh në Saqez, vendlindja e Aminës, thanë dëshmitarët për Reuters.
Dëshmitarët në kryeqytetin Teheran dhe qytetet veriore të Tabrizit dhe Rashtit raportuan gjithashtu një prani të madhe të forcave të sigurisë në rrugë.
Nga frika se shënimi i 40 ditëve nga vdekja e saj do të shkaktonte protesta të mëtejshme të dhunshme, policia e sigurisë ka paralajmëruar familjen e saj kundër mbajtjes së një procesioni përkujtimor, thanë grupet e të drejtave.
Sipas aktivistëve, familjes iu tha se “duhet të shqetësohen për jetën e djalit të tyre”.
Megjithatë, dhjetëra qytetarë kanë arritur të hyjnë në varreza. Videot e postuara në internet thuhet se tregojnë pjesëmarrësit duke brohoritur “Grua, jetë, liri” dhe “Vdekje diktatorit”, duke iu referuar liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei.
Një dëshmitar në Saqez tha se varrezat ku u varros Amini ishin të mbushura me pjesëtarë të milicisë vullnetare të Basij dhe të policisë.
“Ata u përpoqën të na pengojnë të hyjmë në varreza… por unë arrita të hyj. Prindërit e saj ende nuk i kam parë”, tha dëshmitari.
Amini (22) vdiq në paraburgimin policor në Teheran më 16 shtator dhe u arrestua tre ditë më parë për mbajtjen e “pahijshme” të hixhabit.
Vdekja e saj, për të cilën zyrtarët fajësuan një atak në zemër, shkaktoi një valë protestash antiqeveritare në qytetet anembanë Iranit. Qeveria iraniane këmbëngul se Amini nuk ishte keqtrajtuar, por familja e saj pretendon se trupi i saj kishte mavijosje dhe shenja të tjera rrahjeje pasi ajo u arrestua nga policia morale.
Autoritetet u përpoqën të shtypnin protestat me forcë. Irani për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Oslo, pretendon se të paktën 215 njerëz u vranë në ato përpjekje.
Gratë e reja dhe nxënëset e shkollës janë në ballë të valës së protestave, një nga më të mëdhatë me të cilat është përballur Irani që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.