Këtë të enjte është duke u mbajtur Komisioni për Sigurinë Kombëtare, ku po diskutohet projektbuxheti 2023.
I pranishëm në Komision, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka parashtruar rritjen e pagave për punonjësit e policisë, gardën dhe për gradat e tjera.
Çuçi tha se buxheti 2023 do të fokusohet më tepër në përballimin e inflacionit të shtetit dhe rikuperimin e mbrojtjes kibernetike për sistemet e policisë.
“Një vëmendje e posaçme në këtë buxhet ka qenë ajo e inflacionit të luftës. Jemi përballur nga një sulm kibernetik dhe sistemet e policisë u prekën. Në buxhetin 2023 do të shohim këto pasoja, pra përballimin e inflacionit të luftës dhe rikuperimin e mbrojtjes kibernetike për sistemet e policisë. Në buxhet për policinë por jo vetëm do të ketë rritje pagash dhe në lidhje me policinë rreth 74% e numrit të punonjësve, do të përfshihet niveli bazë. Rritja e pagës do të jetë 15%. Për gradat ku janë 2099 punonjës rritja do të jetë me 7%. Lidhur me gardën e Republikës, për të gjitha gradat rritja do të jetë 7%”, tha ai.