Protesta e pedagogëve është duke u mbajtur sërish sot këtë të enjte.
Kreu i Sindikatës, Sandër Kovaçi tha se përgjigjet e dhënë nga ministria e Arsimit nuk i përmbushin të gjitha kërkesat e pedagogëve.
Kovaçi theksoi se vijueshmëria për protestën do të vendoset ditën e premte por presioni do vazhdojë që parlamenti të bindet për një ndryshim të projekt-buxhetit.
“Jemi në fazën kur ministria e arsimit ka sjellë një përgjigje, një pjesë prej tyre mendojmë se do jenë të zgjidhshme sepse kanë qenë vetëm pengesa të neglizhencës dhe moszbatimit të ligjit, ndërsa problemi kryesor për rritjen e financimit për arsimin e lartë, këto dy elemente nuk kanë marrë rrugën e zgjidhjes. Edhe 8% që mendon qeveria që mund të ezaurohet nga universitetet, deri tani vetëm një universitet ka dhënë përgjigje sa kanë mundësi, por vetëm për një vit.
Ndërkohë vijojmë me kërkesën që duhet që këtë vit të ketë rritje, dhe të vijojë më pas në fazë e pagave që janë në rajone. Insistojmë me kërkesat tona, do vazhdojmë presionin që dhe parlamentin ta bindim për një ndryshim të projekt buxhetit. Kjo javë mbyllet me bojkot, dimë që disa nga fakultetet janë shprehur se do mbledhin asambletë bëjmë thirrje dhe asambleve të tjera të mblidhen dhe të marrin një pendim sesi do shkojë. Sot e nesër vijon bojkoti, do marrim vendim ditën e premte për vijueshmërinë, por deri sa të marrin rrugë kërkesat tona, do vijojmë me bojkotin”, tha ai.