Këtë të enjte është mbajtur Komisioni për Ekonominë dhe Financat, ku po diskutohet projekt-buxheti 2023.
E pranishme në Komision, deputetja e PD Jorida Tabaku ka kërkuar që diskutimi për buxhetin të bëhej pasi qeveria të kishte prezantuar paketën fiskale.
Sakaq shtoi se është e nevojshme të diskutohet dhe projekt-ligji për lojërat e fatit.
“Do kisha dashur që argumentet tona t’i përdornim për të diskutuar, ndërkohë që ne sot nuk kemi as luksin për të folur. Komisioni i Ekonomisë dhe i Financave nuk e ka ende të plotë, kanë ardhur vetëm tre ligje, ndërsa tre ligjet që kanë një efekt prej 100 milionë eurosh nuk kanë ardhur. Nuk e kemi paketën e plotë fiskale në asnjë fletë. Nuk ndahet buxheti i shtetit dhe projektligjet financiare, këto gjenerojnë efekte financiare që janë reflektuar në buxhet, kur është miratuar një ligj për lojërat e fatit, ne nuk mund të diskutojmë në ajër. Kurdo që ta ketë të nevojshme qeveria, të vijë dhe të diskutojmë, nuk mund të diskutojmë kështu, s’na bëni dot për budallenj”, tha ajo.